Lufta në Ukrainë - Dita e 11

Eshtë dita e njëmbëdhjetë e luftës në Ukrainë. Makineria ushtarake ruse ka vazhduar me sulme nëpër qytetet kryesore ukrainase. Luftimet janë intensifkuar ndërkohë që më shumë se 1.5 milionë njerëz kanë ikur në vendet fqinje në eksodin më të shpejtë të refugjatëve këtë shekull. 

Presidenti rus, Vladimir Putin ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Invazioni ushtarak i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete. Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Nëse sapo na jeni bashkangjitur, këto janë zhvillimet më të fundit në Ukrainë:

Qyteti i rrethuar i Mariupolit ka mbetur pa energji për pesë ditë, nuk ka ujë dhe rrjetet celulare janë në funksion, sipas kryebashkiakut të këtij qyteti. Numri i të plagosurve dhe i të vdekurve është me “mijëra” dhe ata nuk janë në gjendje t’i marrin trupat pasi sulmet ajrore ruse bombardojnë qytetin, shtoi ai. Një korridor evakuimi u stopua pasi autoritetet ukrainase i akuzuan forcat ruse për shkelje të marrëveshjes për t’i ndalur luftimet dhe për t’u dhënë civilëve kalim të sigurt. Evakuimet nga qyteti lindor i Volnovakha u ndaluan gjithashtu.

SHBA po punon me Poloninë për mundësinë që Varshava t’i sigurojë Ukrainës avionë luftarakë së bashku me konsultimet me aleatët e tjerë, konfirmoi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkon që vendet e Evropës Lindore të dërgojnë avionë luftarakë në vendin e tij.

Presidenti rus Vladimir Putin tha të shtunën se sanksionet e vendosura ndaj vendit të tij janë “ekuivalente me shpallje lufte”. Putin tha gjithashtu se ai do t’i konsideronte vendet që vendosin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë si pjesëmarrëse në konflikt. Zelensky dhe udhëheqës të tjerë ukrainasë i janë lutur vazhdimisht NATO-s dhe zyrtarëve perëndimorë që të vendosin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, të cilën SHBA dhe NATO kanë thënë se e kundërshtojnë. Zelensky u kërkoi ligjvënësve amerikanë që ta ndihmojnë në krijimin e një zone të ndaluar fluturimi dhe sanksione më të ashpra ruse.

Në një video-adresim të postuar në faqen e tij zyrtare në Facebook të shtunën, presidenti i Ukrainës tha se ukrainasit nuk do t’ia japin vendin e tyre “një armiku”. “Ukrainasë! Në të gjitha qytetet tona, të cilat janë pushtuar nga armiku, dilni në ofensivë, dilni në rrugë, ne duhet të luftojmë sa herë që na jipet një mundësi e tillë,” ishte thirrja e bërë nga Zelensly për popullin ukrainas. 

Zelensly pati një telefonatë me presidentin amerikan Biden të shtunën mbrëma ku Presidenti Joe Biden i “theksoi veprimet e vazhdueshme të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e saj dhe industria private për të rritur kostot ndaj Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë”.

Ndërkohë, Ushtria e Ukrainës pretendon se ka rrëzuar 88 avionë dhe helikopterë rusë deri më tani dhe ka kapur disa pilotë.

Sa i përket bisedimeve të mëtejshme, përfaqësuesit rusë dhe ukrainas do të takohen për një raund tjetër negociatash të hënën, sipas negociatorit ukrainas David Arakhamia i cili e ka bërë këtë njoftim përmes llogarisë sw tij zyrtare në Facebook. Ndërkohë,  Agjencia shtetërore ruse e lajmeve TASS raportoi të dielën se negociatori rus Leonid Slutsky konfirmoi gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në kanalin Soloviev Live YouTube se raundi i tretë i bisedimeve do të zhvillohet më 7 mars. As Arakhamia e as Slutsky nuk treguar se ku do të zhvillohen negociatat.

Numri i refugjatëve ukrainasë pritet të arrijë në 1.5 milionë të dielën. Agjencia e OKB-së për refugjatët vlerëson se numri i refugjatëve mund të rritet në 4 milionë deri në muajin korrik.

Fondi Monetar Ndërkombëtar tha se do të shqyrtojë në bordin e saj ekzekutiv kërkesën e Ukrainës për 1.4 miliardë dollarë financim urgjent që në fillim të javës së ardhshme, por paralajmëroi për pasoja të rënda ekonomike në rajon dhe se lufta dhe sanksionet shoqëruese do të kishin një “ndikim i rëndë në ekonominë globale”.

Visa dhe Mastercard kanë pezulluar operacionet e tyre në Rusi, duke e përmendur pushtimin. Ndërkohë, pasi u kritikua për blerjen e naftës me zbritje nga Rusia, Shell Oil i siguroi fitimet nga transaksioni në ndihmë humanitare për Ukrainën./CNN, BBC, Sky News