Belul Beqaj, analist

Lojë e dyfishtë Thaçi - Kurti, sipas analistit kosovar

Analisti politik, Behlul Beqaj, ka komentuar takimin i cili nuk ndodhi sot ndërmjet Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Ai ka thënë se, ftesa e Presidentit Thaçi në adresë të Kurtit ishte e shpejtë.

“Akti i mandatimit është i rëndësishëm aq sa për Presidentin ashtu edhe për Kryeministrin, mandatarin. Besoj që duhet të udhëhiqet një procedurë e mirëfilltë sepse nuk mund të bëhet ftesa aty për aty, duhet të paralajmërohet se kemi një veprim i cili është edhe publik edhe i jashtëzakonshëm, jo vetëm për palët që ndërlidhën me të por edhe për audiencën e cila me muaj të tërë po pret diçka të tillë”, ka thënë ai në një intervistë në televizionin publik, RTK.

Sipas Beqajt, kjo mund të shihet edhe si lojë e dyanshme.

“Më duket që këtu kemi një hile, ndoshta nga të dyja palët. Nga pala e Presidentit për faktin se ai tash dëshiron të shprehë interesim për formimin e institucioneve dhe ne e dimë që çfarë ka bërë për institucionet e Kosovës dhe në anën tjetër Albin Kurti që ta përdorë apo të shpërdorë këtë hapësirë që i mundëson atij një manovrim ta zgjasë sa më tepër, sepse nga momenti i mandatimit të kryeministrit fillon procedura 60 ditë, deri në përfundim të përgjithshëm, që ka epilogun përfundimtar shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës”, tha tutje Beqaj.

Sot, në mëngjes, Presidenti Hashim Thaçi, njoftoi për një letër të cilën e kishte nisur në drejtim të Albin Kurtit për një takim në ora 13:30 në Presidencë.

Siç e përshkroi Thaçi, takimi ishe për ta mandatuar Kurtin për kryeministër të vendit.

Por, Kurti refuzoi takimin me arsyen se ishte jashtë vendit.

E pak kohë më pas, Zyra e Presidentit i dërgoi edhe një letër tjetër. Këtë herë, takimi ishte shtyrë për në ora 20:00 në mbrëmje.

Por, as me këtë kohë nuk u pajtua Albin Kurti. Ai ia ktheu një përgjigje përmes një letre ku edhe e njoftoi Thaçin se nuk do të shkoi në takim.

Thaçi i ridërgon ftesë Kurtit: Hajde sonte n’8

www.kallxo.com