Thaçi i ridërgon ftesë Kurtit: Hajde sonte n’8

Presidenti Hashim Thaçi i ka ridërguar ftesë kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti për t’u takuar përsëri sot në ora 20:00.

Kërkesa e re e Thaçit vjen pas refuzimit që Kurti ia bëri sot gjatë ditës, me arsyetimin se është njoftuar vonë dhe se nuk është në Prishtinë.

“Pasi që zyrtarisht nuk kam pranuar asnjë arsyetim për mungesën tuaj në takimin e orës 13:30, ju ftoj sërish për takim sontëm në orën 20:00, dt. 27 dhjetor 2019, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në ftesën e Thaçit për Kurtin.

Ndërsa përmes një postimi në Twitter, Thaçi ka thënë se pret që të mos vonohet formimi i Qeverisë.

“Unë përsëri u bëj thirrje të gjithëve të tregojnë udhëheqje dhe të mos vonojnë formimin e Qeverisë së re të Republikës së #Kosovës. Populli dhe aleatët tanë presin më shumë”, ka shkruar Thaçi.

Kurti ka refuzuar ftesën e parë të presidentit Thaçi duke thënë se është ftuar shumë vonë dhe nuk mund të jetë prezent në kohën e pacaktuar.

KALLXO.com i ka shkruar Lëvizjes Vetëvendosje për t’i pyetur nëse Kurti do të shkoj në orën 20:00, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.