‘Llogaridhënia’ duhet të jetë prioritet i dialogut, jo ‘amnistia’

Episodi i fundit i emisionit Jeta në Kosovë, prodhim i BIRN, shtjelloi më thellë kritikat, pasojat dhe alternativat e idesë që një amnisti e ndërsjellë për krimet e luftës të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare të Kosovës me Serbinë. 

Javën e shkuar, gazetarët e BIRN-it dolën rrugëve të Prishtinës për të matur reagimet e qytetarëve të Kosovës ndaj propozimit të komentuesit Baton Haxhiu që një amnisti për krimet e kryera në luftën e Kosovës të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, por edhe shpërbërja e Speciales Gjykatë, të cilat i theksoi më 24 prill gjatë një debati televiziv.

Shumica e kalimtarëve me të cilët foli BIRN ishin tërësisht kundër kësaj ideje. “Kjo është e pafalshme, nuk duhet të ketë amnisti,” tha Gani Imeri. “Serbia kreu krime jo vetëm në Kosovë, por e shkatërroi tërë Jugosllavinë. Pa pardon, pa kërkimfalje, nuk ka amnisti.” 

“Kurrë”, tha Anton Gashi. “Pavarësisht se kush ka kryer krimet, ne nuk duhet të jemi servilë, gjykatat duhet të vendosin për këtë çështje.”

Krimeve të luftës nuk duhet tu ofrohet amnisti në asnjë vend të botës, e posaçërisht jo në Kosovë, tha Ivan Nikoliç. “20 vjet më vonë, familjet ende ndjejnë pasojat e luftës. Gjithçka që ndodh rreth nesh sot është pasojë e krimeve që janë kryer. Pavarësisht se kush i ka kryer ato, nuk duhet të ketë amnisti,” tha ai për BIRN.

Aleksandar Rapajic tha se Kosova as nuk duhet të fillojë të mendojë për një amnisti të krimeve të luftës. “Krimet që ndodhën në Kosovë janë të dënueshme edhe 30, 40, 50 vjet më vonë,” tha ai. “Kam frikë se kriminelëve të luftës në Kosovë tashmë u është dhënë një lloj amnistie, sepse asgjë nuk është bërë që ata të ndëshkohen.”

BIRN kontaktoi me Baton Haxhiun për komente shtesë lidhur me deklaratën e tij dhe ai nuk pranoi të përgjigjej, duke thënë se ai kishte shkruar një opinion në të cilin ai shpjegon “keqkuptimin”. 

Haxhiu kërkoi falje për bezdinë që mund t’i ketë shkaktuar familjeve të viktimave të luftës, por natyra e amnistisë që u propozua nga ai mbetet e paqartë nga përgjigja e tij dhe është nxjerrur nga konteksti.

 “Duke u kërkuar falje familjeve të dëmtuara, që i nënshtrohen këtij terrorizimi, dhe që mund ta kenë marrë si të mirëqenë mendimin tim të retushuar nga autorët e mesazheve të dirigjuara, dua ta bëj edhe një herë të qartë qëndrimin tim për Gjykatën Speciale dhe për amnistinë, por jo kurrsesi amnistinë për krimet e luftës.”, tha ai.

Pyetjet mbi një amnisti të mundshme u shtruan gjithashtu para një paneli të të mbijetuarve të luftës, aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe avokatëve të angazhuar në ndjekje të drejtësisë për krimet e luftës gjatë një debati në programin televiziv të BIRN, Jeta ne Kosove, të enjten.

Të gjithë pjesëmarrësit deklaruan se, në vend të amnistisë, dështimet në bashkëpunimin midis institucioneve të drejtësisë në Kosovë dhe Serbi duhet të jenë prioritet i dialogut, meqë mostrajtimi i këtyre çështjeve do të kontribuonte në pandëshkueshmëri për autorët e krimeve, që është “ngjashëm me një amnisti”.

Amnistia do të mohonte përpjekjet e të mbijetuarve dhe viktimave që kërkojnë drejtësi

Gjatë debatit, deputetja Saranda Bogujevci reflektoi mbi përpjekjet që ajo dhe familja e saj kishin ndërmarrë për të kërkuar llogari për përgjegjësit për vrasjen e 14 anëtarëve të familjes së saj në Podujevë gjatë luftës në Kosovë. 

Sipas Bogujevcit, pa mbështetjen e vazhdueshme të gjerë nga të mbijetuarit e tjerë dhe shoqëria civile, ajo nuk do të mund të kërkonte dhe arrinte arrestimin, hetimin dhe ndjekjen penale të autorëve.

“Çelësi për sigurimin e drejtësisë për anëtarët e familjes është që të sigurohet se ata kanë mbështetje. Ne ishim me fat që kishim aq shumë njerëz rreth nesh, është e pamundur të luftosh vetëm”, tha Bogujevci, e cila në vitin 2003 dëshmoi në Beograd në gjykimin e një prej vrasësve të familjes së saj, pas mbështetjes nga organizatat e të drejtave të njeriut dhe psikologët.

Po atë vit, ajo udhëtoi për në Kanada për t’u përballur me një person përgjegjës sy-më-sy. “Një organizatë e shqiptarëve në Kanada organizoi protesta në ditën kur dy prej autorëve të krimeve kërkonin azil,” tha Bogujevci. “Njëri nga ta pritej të paraqitej para mediave, dhe unë dola para tij dhe i pyeta autoritetet nëse ishin të vetëdijshëm se në Kanada gjendet një njeri përgjegjës për vrasjen e familjes sime.”

Përkrahësit e një amnistie do të mohonin përpjekjet e viktimave, të mbijetuarve, miqve të tyre dhe në Kosovë gjatë dy dekadave të fundit, tha Bogujevci, si dhe do ta shpërfillin këmbënguljen e vazhdueshme të atyre që nuk rreshtuar së luftuari për të siguruar që autorët e krimeve japin përgjegjësi penale për veprimet e tyre. 

“Ajo që është me rëndësi për ne është që shoqëria të punojë së bashku për të na siguruar mundësinë për të kërkuar drejtësi për familjet tona”, tha Bogujevci. Pesë persona me përgjegjësi penale për vrasjen e familjes së saj janë gjykuar dhe dënuar  nga 15 deri 20 vjet burgim për krimet e tyre.

Shoqëria civile paralajmëron se koha po mbaron

Sipas të dhënave statistikore nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, FDH, në 20 vitet që nga përfundimi i luftës, gjithsej 41 personave u janë shqiptuar dënime me burg me aktgjykim të formës së prerë për krime lufte nga gjykatat në Kosovë. Ky numër përfshin periudhën kur proceset gjyqësore janë mbikëqyrur nga administrata e përkohshme e OKB-së në Kosovë dhe Misioni i EULEX për Sundimin e Ligjit.

Bekim Blakaj, drejtor i FDH Kosovë, theksoi gjatë debatit se gjatë luftës kanë humbur mbi 11,000 civilë, që do të thotë se përqindja e viktimave që kanë marrë drejtësi “as që vlen të përmendet”. Ndërsa nuk ka vend në botë që ka gjetur dhe dënuar me sukses çdo autor të krimeve të luftës pas konfliktit, theksoi ai, dritarja e mundësisë për të sjellë sa më shumë individë para gjykimit është duke u mbyllur.

“Koha kalon, krimet e luftës harrohen, viktimat, dëshmitarët dhe autorët plaken,” tha Blakaj. “Ne nuk e kemi luksin që të presim fillimin e procedurave.”

Blakaj theksoi se mungesa e diskutimeve në dialog mbi mekanizmat bashkëpunues të drejtësisë kalimtare dhe çështjen e personave të zhdukur ka kontribuar dukshëm në dështimin e gjykatave në Kosovë për t’i ndjekur penalisht përgjegjësit e krimeve të luftës. “Çështja e personave të zhdukur duhet të jetë pjesë e diskutimit. Njerëzit kanë të drejtë ta zbardhin fatin e të dashurve të tyre dhe prandaj bashkëpunimi teknik midis Kosovës dhe Serbisë është i rëndësishëm,” tha ai.

Mungesa e bashkëpunimit mes liderëve dhe institucioneve të të dy vendeve në këtë drejtim përbën një amnisti në vete, tha ai, duke përmendur se historikisht, amnistia është ofruar nga liderët shtetërorë vetëm kur ajo përshtatej me interesa e tyre politike. 

“Gjëja më e rëndësishme është që kushdo që propozon amnisti duhet të jetë në gjendje t’i justifikojë ato argumente, dhe shoqëria duhet të jetë në gjendje të bëjë presion mbi ata njerëz, që t’i paraqesin argumentet e tyre,” tha ai.

Mekanizmat ndërkombëtarë për drejtësi janë rënduar nga burokracia

Në Republikën e Serbisë, ndjekja e drejtësisë penale nuk ka qenë më e lehtë. 

Sipas Marija Ristic, producente filmi dhe gazetare, e cila që ka monitoruar procedurat gjyqësore në Serbi që nga viti 2010, prokuroria e Serbisë ka dënuar shumë pak individë për krimet e tyre gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Ajo shtoi se prokuroria i ka mbyllur një sy individëve përgjegjës që ishin më lartë në zinxhirin komandues në strukturat ushtarake dhe politike serbe në atë kohë. 

Që nga themelimi i Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Beograd më 2004, 50 persona janë dënuar me burg për krimet e kryera në të gjithë ish Jugosllavinë, tha ajo, dhe vetëm tetë nga ato gjykime adresuan krimet e luftës që ndodhën në territorin e Kosovës.

“Gjykimet janë caktuar, pastaj anuluar, pastaj shtyrë. Do të ketë zhvillime të vogla në proces por ato do të ndërpriten vazhdimisht,” tha Ristic. “Në pesë vitet e fundit, kemi parë një trend në Serbi ku gjyqet për krime lufte që përfshijnë Kosovën nuk procedojnë ashtu siç ishte planifikuar. Krimet që ndodhën më 1999 janë duke u lënë pas dore plotësisht, prandaj tani nuk ka raste të reja për Kosovën.”

Sipas Ristic, ky dështim mund t’i atribuohet dëshirës që dialogu me Kosovën të avancojë. “Në përpjekje për të arritur diçka me dialogun, fokusi është larguar nga e kaluara,” tha ajo. “Krahas kësaj mungese të vullnetit politik, nuk ka asnjë mënyrë që shërbimet tona prokuroriale të bashkëpunojnë. Nëse autorët janë në Serbi dhe viktimat janë në Kosovë, ose anasjelltas, atëherë pa ndihmë nga prokurorët, situata bëhet e pazgjidhshme.”

Sipas Ristic, shumë kanë humbur besimin në Prokurorinë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Gjykata është themeluar në dhjetor të vitit 2015 për të hetuar dhe gjykuar krimet e kryera në territorin e Kosovës gjatë dhe menjëherë pas luftës, të cilat u përshkruan në raportin e publikuar nga Këshilli i Evropës dhe kryesisht përfshijnë pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Sidoqoftë, prokurorëve në Hagë iu deshën gati pesë vite deri në ngritje të aktakuzave, theksoi Ristic. “Kjo po merr shumë gjatë,” tha ajo. “Gjykata ka punuar në këto raste për pesë vite, por hetimet kanë vazhduar për rreth një dekadë. Burokracia është problem i madh këtu.”

Sidoqoftë, Ristic shprehu shpresë se do të ketë progres gjatë muajve të ardhshëm, duke duartrokitur përpjekjet e kryeprokurorit Jack Smith, i cili mori përsipër pozitën nga David Schwendiman në maj 2018. “Disa muaj më parë pamë se prokuroria kishte sjellë pretendime dhe akuza të reja, dhe aktakuzat janë dorëzuar,” tha Ristic. “Këto aktakuza duhet të konfirmohen brenda gjashtë muajsh, por deri në verë pritet të dalin aktakuzat e para.”

Institucionet në Kosovë dhe Serbi së shpejti do të përballen me vendime mbi hapat që duhet ndërmarrë për të lehtësuar funksionimin efektiv të Gjykatës Speciale, tha Ristic, duke theksuar se ende janë një numër pyetjesh pa përgjigje. “Si do të arrestohen njerëzit? Si do të bashkëpunojnë institucionet? Këto janë çështje të ndjeshme për të cilat duhet të fillojmë të mendojmë tani,” tha ajo.

Prokuroria e Kosovës ka vështirësi me ngarkesë të lëndëve

Shërbimi i brendshëm i prokurorisë i Kosovës është kritikuar për shkak të mungesës së progresit në ndjekjen e rasteve të krimeve të luftës gjatë dy viteve të fundit. Kryeprokurorja Drita Hajdari iu përgjigj kësaj kritike, duke tërhequr vëmendjen në numrin e konsiderueshëm të rasteve që iu dorëzua Prokurorisë së Kosovës pasi Misioni i EULEX-it për Sundimin e Ligjit në Kosovë transferoi kompetencat për këto raste në qershor 2018. 

“Ne trashëguam rreth 1.000 raste nga EULEX-i dhe nuk mund t’i procedojmë të gjitha menjëherë”, tha Hajdari për BIRN. “Ne kemi përgatitur një plan për adresimin e tyre, duke u dhënë prioritet atyre për të cilat kemi prova të besueshme, dhe jemi përqendruar në rastet që përfshijnë një zinxhir komande.” 

Hajdari tha se prokuroria e Kosovës gjithashtu u kishte dhënë prioritet trajtimit të rasteve që përfshijnë përdhunime dhe dhunë seksuale gjatë luftës, por u bëri thirrje qytetarëve që të kenë durim duke pasur parasysh kompleksitetin e rasteve.

“Unë mora vendimin që të shqyrtohen këto raste dhe kemi qenë të suksesshëm në identifikimin e disa prej autorëve. Ju lutemi të keni durim, meqë jemi duke i trajtuar këto raste vetëm që dy vite, dhe nuk mund të fajësohemi për dekada të tëra kur këto raste ishin nën mbikëqyrjen ndërkombëtare,” tha Hajdari. “Ne nuk ishim fare kompetenca para kësaj kohe, për të gjitha këto vite, meqë nuk kemi qenë të përfshirë. Si prokurore, unë gjithashtu nuk jam aspak e lumtur me këtë drejtësi të vonuar.”

Prokurorja kritikoi vendimet e organeve ndërkombëtare që mbikëqyrnin procesin prokurorial në Kosovë para shërbimeve të brendshme të prokurorisë, duke theksuar se zyra e saj ishte lënë e papërgatitur meqë nuk ishte besuar me kompetenca hetimore që nga fillimi.

“Për shumë vite, stafi lokal nuk kishte kompetenca të trajtimin të këtyre rasteve. Kjo kompetencë u mor nga ne sepse besohej se ne nuk do të gjykonim rastet që përfshinin autorë shqiptarë dhe se do t’i akuzonim serbët pa bazë të duhur,” tha ajo. “Njerëzit e fajësuan prokurorinë lokale dhe, si rezultat, erdhëm deri te Gjykata Speciale.” 

Sipas Hajdarit, aktualisht janë në proces disa procedura dhe janë lëshuar aktakuza për një numër kriminelësh të dyshuar të luftës, megjithatë, bashkëpunimi ndërkombëtar tani është themelor për suksesin e prokurorisë.

“Kemi dërguar një numër kërkesash ndërkombëtare për ekstradim,” tha Hajdari. “Ata njerëz janë në listat e Interpolit, andaj shpresojmë që kurdoherë që do të kapen në ndonjë vend, do të sillen tek ne”.

Kryeprokurorja theksoi se është thelbësore ndihma nga organizatat ndërkombëtare, si Interpol, dhe organet e zbatimit të ligjit të vendeve fqinje ku autorët e krimeve janë strehuar. 

“Problemi është se shumica e autorëve janë në Serbi, por dëshmitarët janë në Kosovë,” tha ajo. “Ne kemi nevojë për bashkëpunim ndërkombëtar, dhe ky duhet të jetë fokusi i dialogut, jo amnistia.”