Lëvizja Vetëvendosje shpall zgjedhjet e brendshme

Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur zgjedhjet e brendshme të përgjithshme. Nga 20 shtatori, secili anëtar i Lëvizjes, dhe kurdo që është anëtarësuar, do të ketë të drejtë për të votuar e për t’u kandiduar.

“Zgjedhjet do të jenë të drejtpërdrejta, të lira e demokratike. Në fund të këtij procesi do të kemi struktura edhe më të fuqishme ashtu siç e kemi edhe mbështetjen e jashtëzakonshme të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në 30 qendra të Lëvizjes në Kosovë e 13 qendra në mërgatë, anëtarët e Lëvizjes do të kenë mundësi që përmes parimit “një anëtar, një votë” të zgjedhin kryesitë e kryetarët e pikave nëpër lagje e fshatra, të propozojnë kandidatët që vlerësojnë më së shumti apo edhe të vet-propozohen.

“Të gjithë anëtarët do të kontaktohen për të marrë pjesë në zgjedhje, kurse ju që mbështetni Lëvizjen, por nuk jeni anëtarësuar ende, vizitoni zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje në komunën tuaj dhe anëtarësohuni që të bëheni pjesë e këtij procesi demokratik”, vazhdon njoftimi i LVV-së.

Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar të gjithë anëtarët që të bashkohen në këtë proces zgjedhor.