Lëndimi i një punëtori në Fushë Kosovë, kërkohet caktimi i masës së paraburgimit ndaj dy personave

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave për rastin e një punëtori, i cili ra nga lartësia e një ndërtese gjatë kohës sa ishte në punë.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur para dy ditëve, më 4 shkurt 2022, në Fushë Kosovë.

Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga zëdhënësja e prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, për shkak të veprës penale ‘Asgjësim, dëmtim ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës’” – ka thënë Ulaj.

Në ditën e ndodhjes së rastit, zëdhënësja e Policisë në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti kishte treguar për KALLXO.com se personi që kishte rënë nga lartësia kishte pësuar lëndime trupore.

Ajo kishte treguar se viktima ishte dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas Ahmetit, rasti kishte ndodhur në rrugën “Gjergj Fishta” të Fushë Kosovës dhe se në vendin e ngjarjes kishin dalë njësitet e nevojshme policore të cilët patën filluar hetimet, në koordinim me prokurorinë dhe Inspektoratin e Punës.

Lëndohet një person në Fushë Kosovë, dyshohet se ra nga ndërtesa