LDK reagon për situatën në veri, kërkon nga Qeveria e Kosovës koordinohet me ndërkombëtarët

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka reaguar në lidhje me situatën në veri të vendit.

Abdixhiku i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shfrytëzojnë potencialin diplomatik dhe çdo përpjekje ta koordinojë me aleatët ndërkombëtarë, në mënyrë që siç tha ai “të sigurojë funksionimin e rregullt të institucioneve në veri dhe shmangien nga çfarëdo gracke potenciale nga Serbia”.

“I bëj thirrje dhe ftesë që institucionet e vendit, përkatësisht Qeverisë së Kosovës që të shfrytëzojë gjithë potencialin e vet diplomatik e qytetar, të koordinojë çdo përpjekje të vetë me aleatët ndërkombëtarë në mënyrë që të sigurojë funksionimin e rregullt të institucioneve tona në veri dhe shmangien nga çfarëdo gracke potenciale destabilizuese që vjen nga Serbia” – ka deklaruar Abdixhiku.

“Përgjegjësia e matur, sjellja e matur në këto momente është jetike për funksionimin e Republikës Kosovës” – shtoi ai.

Edhe Avdullah Hoti nga LDK ka thënë se veprimet të jenë të menduara dhe të përgatitura mirë dhe në koordinim me miqtë e Kosovës.

“Ligj dhe rend në të gjithë Kosovën. Edhe në veri. Por veprimet të jenë të menduara dhe të përgatitura mirë. Në veçanti dhe domosdosmërisht të koordinuara me miqtë e Kosovës”- ka shkruar Hoti në Facebook.

Që nga mesdita, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

KALLXO.com po raporton në kohë reale nga veriu i Kosovës.

LIVE – Zhvillimet e fundit në veri