Shtatorja e 7-vjeçarit të vrarë në luftë, Leotrim Ahmetit në Skenderaj - Foto: KALLXO.com, 18.06.2024

LDK dorëzon kërkesën zyrtare: Shtatorja e Leotrimit të vendoset në oborrin e Kuvendit

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës i ka dorëzuar të enjten më 27.06.2024 zyrtarisht kërkesën Kryesisë së Kuvendit, për vendosjen e shtatores së Leotrim Ahmetit në oborrin e Kuvendit të Kosovës.

LDK thekson se shtatorja e Leotrimit, e punuar nga skulptori Sabri Behramaj dhe e vendosur në qendër të Skenderajt, është bërë simbol i së vërtetës historike të popullit të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur deputeti Avdullah Hoti, i cili e ka publikuar kërkesën në llogarinë e tij në Facebook.

Hoti ka thënë se vendosja e shtatores së njëjtë, në oborrin e Kuvendit të Kosovës do të shërbejë si një mënyrë e denjë për të memorializuar të kaluarën e rëndë të Kosovës dhe për të përkujtuar sakrificën e rreth 1 mijë fëmijëve të vrarë gjatë luftës së fundit.

“Pas, marrjes së pëlqimit të familjes Ahmeti, ne kërkojmë nga autoritet e Kuvendit të Kosovës që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të realizuar këtë kërkesë dhe për të kujtuar përgjithmonë historinë e rëndë të kombit tonë. Gjithashtu, dëshirojmë të informojmë publikun se do të angazhohemi që e njëjta shtatore të vendoset edhe në kryeqendrat e vendeve të rëndësishme perëndimore” – ka shkruar Hoti.

Shtatorja e 7-vjeçarit Leotrim Ahmeti, i cili u vra nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë, ishte vendosur me datë 18.06.2024 në qytetin e Skenderajt në 25-vjetorin e çlirimit të kësaj komune.

Gjatë vendosjes së shtatores së Leotrimit në emër të familjes kishte folur vëllai i tij, Bahriu.

“Leotrimi simbolizon gjithë fëmijët e Kosovës që kanë rënë për lirinë e Kosovës dhe ai tani më nuk është i vdekur, ai është në mesin tonë”- kishte thënë ai për KALLXO.com.

Përgjithmonë fëmijë në vendlindjen e tij