LDK dhe PDK bashkojnë forcat për ta qeverisur Istogun

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për të qeverisur së bashku Komunën e Istogut për katër vitet e ardhshme.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati.

“Sot kam pritur në takim kryetarin e PDK-së, dega në Istog, z. Ali Nimanaj. Si rezultat i përpjekjeve tona të përbashkëta kemi arritur marrëveshje për të qeverisur në Istog për katër vitet e ardhshme” ka shkruajtur Ferati.

Sipas Marrëveshjes midis këtyre dy partive, PDK-së do t’i takojnë tre drejtori dhe posti i nënkryetarit të Komunës.

“Marrëveshja parasheh që Partia Demokratike e Kosovës, dega në Istog, do të udhëheqë me dikasteret si më poshtë: Nënkryetarin e Komunës, Drejtorinë e Bujqësisë, Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Drejtorinë e Administratës” thuhet më tutje në njoftimin e Ilir Feratit.

Po ashtu Ferati dhe Nimanaj janë dakorduar që bartësit e funksioneve komunale t’i nënshtrohen mekanizmit të matjes së përformancës në periudha 1-vjeçare.