Anëtari i PDK-së emërohet anëtar Bordi në kompaninë e ujitjes ‘Drini i Bardhë’

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 18 qershor, kryeministri Ramush Haradinaj kompletoi disa prej Bordeve të Ndërmarrjeve Publike.

Ndër kompanitë publike ishte edhe ajo e ujitjes “Drini i Bardh” në Pejë.

Përveç kryesuesit të Bordit, atje u emëruan edhe pesë anëtarë të rinj.

KALLXO.com raportoi se kryesuesi i Kompanisë Rajonale të Ujitjes “Drini i Bardhë” në Pejë, Galdim Krasniqi, u emërua jashtëligjshëm në atë pozitë pasi i njëjti ishte asamblist i partisë së Ramsuh Haradinajt.

Edhe anëtari tjetër i Bordit i kësaj kompanie publike, Ali Nimanaj po del se është anëtar i partisë me të cilën Haradinaj është koalicion, Partisë Demokratike të Kosovës.

Këtë e ka pranuar vetë Nimanaj në një bisedë të shkurtër për KALLXO.com.

“Anëtar i partisë se besoj që ka ligj që e ndalon me kanë por jo pozita drejtuese. Tani për momentin nuk kam ndonjë pozitë drejtuese, vetëm anëtar i partisë. S’ka shansa me pasë ndikime prej kurrkujt, ne ju kemi nënshtruar procedurave, ka pasur konkurs, kritere, është kanë që do përvojë që është dashtë me pasë, të gjitha ato kanë bërë përzgjedhjen, nuk ka pasur ndikime absolut”, ka thënë Nimanaj.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe kryetarin e degës së PDK-së në Istog, Lulzim Shoshi, por ai nuk është përgjigjur në telefonatat e redaksisë.

Në disa postime në rrjetin social “Facebook” Nimanaj shihet të ketë qenë goxha aktiv në degën e PDK-së në Istog.

Anëtari i ri i Bordit në kompaninë e ujitjes “Drini i Bardhë” kishte mbajtur edhe pozitën e kryetarit të të rinjve të PDK-së në Istog.

Për këtë, edhe kishte marrë një mirënjohje nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Po ashtu, Nimanaj ishte edhe njëri nga kandidatët për Këshillin Drejtues të PDK-së në Kuvendin Zgjedhorë të kësaj partie të mbajtur ditë më parë, ku është ka postuar disa fotografi me kryetarin e rizgjedhur, Kadri Veseli.

Ai ishte në listë me numër 170 ndërsa kishte grumbulluar vetëm 133 vota, të pamjaftueshme për tu bërë pjesë e Këshillit Drejtues të PDK-së.

Ai shihet edhe në një fotografi të postuar nga faqja e PDK-së, dega në Istog më datë 25 tetor 2017, si pjesë e Kryesisë së Degës së PDK-së në komunën e Istogut.

Nimanaj ishte aktiv edhe takimet e strukturës së partisë në disa tubime. Në njërin prej tubimeve, ai shihet krah përkrah me ish- deputetin e PDK-së dhe njërin prej të akuzuarve në rastin “Pronto”, Adem Grabovci.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për emërimet politike në Bordet e Ndërmarrjeve Publike.

Neni i 17 i Ligjit për Ndërmarrje Publike specifikon kushtet të cilat duhet t’i plotësojë një anëtar i Bordit si dhe kushtet të cilat e eliminojnë nga gara.

“Të gjithë anëtarët përveç kryeshefit ekzekutiv duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhjet si drejtor në një ndërmarrje publike nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i ermëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thuhet në nenin 17, pikën 2 të Ligjit të Ndërmarrjeve Publike.

Emërimi i anëtarëve në bordet e ndërmarrjeve publike në Kosovë është një nga proceset që vazhdimisht është kritikuar nga shoqëria civile në Kosovë, e së fundmi, edhe nga faktori ndërkombëtar.

https://kallxo.com/politizimi-i-bordeve-qe-alarmoi-diplomatet-e-huaj-ne-kosove/

www.kallxo.com