Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kandidati i PDK-së për Istogun: Prioritet mbi prioritete do ta kemi rininë

Kandidati nga radhët e Partisë Demokratike e Kosovës, për kryetar të Istogut, Ali Nimanaj ka thënë se do të ketë prioritet rininë nëse merr mandatin si kryetar komune.

“Një prej zotimeve të mia gjatë mandatit qeverisës do të jetë kodi për rini. Programi im qeverisës, shtyllë kryesore, prioritet mbi prioritete është rinia dhe kjo ditë jetë në fokusin tim”, theksoi ai në Debat Pernime.

Ai ka premtuar fond prej 500 mijë eurosh për të rinjtë ndërmarrës.

“Do të ndajmë një fond prej 500 mijë euro dhe në kuadër të këtij fondi t’i trajnojmë të rinjtë për ndërmarrës të rijnë. Të gjithë ata që ndjekin këto trajnime, të përgatisin plane biznesi dhe Komuna të ndanë grante të vogla për ta dhe ata të kenë mundësi të hapin biznese. Istogu ka buxhet t’i ndajë 500 mijë euro, por po ashtu edhe nga donatorët”, shtoi ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Istogut diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në DebatPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Istogut, Agron Avdijaj nga LVV; Ali Nimanaj nga PDK; Bekë Berisha nga AAK; Idriz Blakaj nga IBI; Ilir Ferati nga LDK.

Përballë kandidatëve për kryetar të komunës do të jenë edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Istogut: Delvina Sylaj nga LDK; Fjoralba Raci nga LVV; Jehonë Mehmetukaj nga AAK dhe Lirije Demiri-Sadikaj nga PDK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.