Lajçak vjen në Prishtinë, pritet të takohet me Bislimin

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të takohet në Prishtinë me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Paralajmërimin për këtë takim e ka bërë Zyra e Kryeministrit.

“Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, pret në takim Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, në ora 18:00”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Gjatë ditës, Lajçak ka bërë publik një takim në Athinë me kryeministrin e ri serb, Millosh Vuçeviq, me të cilin ka thënë se ka biseduar për çështjen e dialogut në Bruksel.

“E kam përditësuar për gjendjen në dialog dhe kemi folur për marrëdhëniet BE-Serbi”, ka shkruar Lajçaku në platformën X.

Takimi po ndodh në kohën kur autoritetet në Prishtinë janë në pritje të raportit te Joseph Borrell-it në të cilin pritet të jepet një rekomandim lidhur me masat kufizuese ndaj Kosovës të cilat BE-ja i ka aplikuar qe një vit.

Lidhur me këtë çështje është pyetur sot edhe kryeministri Albin Kurti, por ai nuk ka dashur të flas.

“Nuk mendoj se duhet të spekuloj për spekulimet”- është shprehur Kurti.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka paralajmëruar se raporti ka të bëjë me dinamikat e institucioneve të BE-së, dhe ka thënë se askush jashtë BE-së nuk duhet të spekulojë rreth përmbajtjes dhe afateve.

Ai i ka bërë këto deklarata pasi është pyetur për të komentuar një qëndrim të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimit, i cili ditë më parë ka thënë se ka “informata se Borrell ka përgatitur raportin e tij dhe se ai ka propozuar heqjen e masave ndaj Kosovës”.

“Vendet anëtare do të jenë të parat që do ta dinë përmbajtjen, do të diskutohet, dhe më pas të merren vendimet e nevojshme”, ka thënë Stano, duke paralajmëruar që për dorëzim të raportit do të njoftohen edhe autoritetet e Kosovës.

“Ne nuk shohim nevojë të spekulohet nga ana e akterëve të ndryshëm”.

Ka kaluar më shumë se një vit që Bashkimi Evropian ka vënë masa ndëshkuese ndaj Kosovës, pas përshkallëzimit të situatës në veri të vendit.

BE-ja pati vlerësuar që Kosova nuk ka marrë hapa të mjaftueshëm për të shmangur konfliktin.