Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (majtas) i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq./Grafika:REL

Lajçak optimist se mund të arrihet një marrëveshje për dinarin mes Bislimit dhe Petkoviqit

Emisari i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak është shprehur optimist se një marrëveshje për dinarin mund të arrihet mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, këtë javë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se arritja e një marrëveshjeje do të kërkojë fleksibilitet dhe kompromis nga të dyja palët.

“Këtë javë do të mirëpres kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë për diskutime që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme të qëndrueshme për ata që preken nga rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme. Jam i sigurt se një marrëveshje mund të arrihet, por do të kërkojë fleksibilitet dhe kompromis nga të dyja palët”- ka shkruar Lajçak.

Bashkimi Europian ka ftuar kryenegociatorin e Kosovës dhe atë të Serbisë për t’u takuar më 15.05.2024 në Bruksel lidhur me çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila e përcakton euron si valutë të vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme, duke filluar nga 01.02.2024.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka bërë të ditur se palët do të takohen për t’i vazhduar bisedimet në gjetjen e zgjidhjes në lidhje me vendimin e BQK-së.

Në takimin e fundit të mbajtur më 25.04.2024, mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nuk është gjetur ndonjë zgjidhje.

Kryenegociatori i Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se pala serbe ka kërkuar që të lejohet financimi i çfarëdo strukture paralele të Serbisë në Kosovë “deri në themelimin e Asociacionit (të komunave me shumicë serbe).

Në takimin e fundit të mbajtur më 25.04.2024, mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nuk është gjetur ndonjë zgjidhje.

Sipas Bislimit, pala serbe nuk ka treguar se cilat janë këto struktura paralele të cilat ata duan t’i financojnë.

“Ideja e tyre që ka qenë që këto duhet të financohen derisa të themelohet Asociacioni se pastaj ato kalojnë në kompetenca të Asociacionit. Natyrisht që propozimi i tij nuk ka hasur as në mirëkuptimin e z. Lajçak e as tonin” – ka thënë kryenegociatori i Kosovës, bazuar në një komunikatë të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Kryenegociatori i Kosovës ka shtuar se propozimi i Lajçakut është një përafrim apo një tendencë për përafrimin e qëndrimeve dhe se shkon në drejtimin e duhur.

Më 1 shkurt në Kosovë hyri në fuqi një rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Për çështjen e dinarit serb, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar edhe takime në të kaluarën, të cilat kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

Çështja e dinarit, BE-ja i thërret kryenegociatorët të mërkurën në Bruksel