Burgu i Gjilanit | Foto: KALLXO.com

Kuvendi miraton marrëveshjen për burgje me Danimarkën

Marrëveshja ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e burgut të Gjilanit me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, është ratifikuar më 23.05.2024 në Kuvendin e Kosovës.

Pro kësaj marrëveshje kanë votuar 86 deputetë.

Lidhur me këtë marrëveshje, deputetët e Partisë Demokratike ndryshuan qëndrim. Javën e kaluar ata votuan kundër, ndërsa sot të njëjtit votuan pro kësaj marrëveshjeje.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se sipas këtij traktati Kosova do të vë në dispozicion kapacitete për 300 të burgosurë të Danimarkës.

“Kosova do të përfitojë tarifë vjetore fikse për shfrytëzimin e burgut prej 15 milionë euro dhe 6 milionë euro për energji të gjelbër”- tha ajo.

Marrëveshja ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës për shfrytëzimin e burgut të Gjilanit me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, ka dështuar të ratifikohet, më 16.05.2024 në Kuvendin e Kosovës.

Para fillimit të seancës, Projektligji për këtë marrëveshje u miratua nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit.

Projektligji u kthye në Komision pas vendimit të fundit të Qeverisë më 20.05.2024, e cila në një mbledhje elektronike e miratoi këtë projektligj.

Kosova dhe Danimarka kanë nënshkruar letër-pëlqim për sjelljen e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë në dhjetor të vitit 2021, ndërsa në prill të vitit 2022, dokumenti është shndërruar në traktat. Qeveria e Kosovës ka miratuar më 07.06.2023 projektligjin për Ratifikimin e këtij traktati.

Traktati ka kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh. Aty parashihet që Danimarka të marr në shfrytëzim qeli të vetme dhe të përbashkëta në burgun e Gjilanit. Në këmbim të kësaj, Kosova parashihet të ketë një përfitim prej mbi 200 milionë euro.