Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kuvendi miraton ligjin për Policinë Ushtarake të FSK-së

Me 74 vota për asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të dytë ligjin për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë, Bekë Berisha ka thënë se miratimi i këtij ligji do të mundësojë avancimin e bazës ligjore për Policinë Ushtarake.

“Miratimi i këtij projektligji do të mundësojë avancimin e bazës ligjore për Policinë Ushtarake pasi aktualisht kjo çështje është e rregulluar me akte nënligjore”, tha Berisha.

Në memorandumin shpjegues të këtij projektligji thuhet se përmes këtij ligji synohet që njësitë e FSK të rregullohen në atë mënyrë, që FSK të përmbushë misionin e saj kushtetues dhe ligjore, në përputhje me objektivat e veta strategjike.

Sipas memorandumit, autorizimet dhe detyrat ushtarake të Policisë Ushtarake do të jenë të ndërlidhura me kufizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut.

“Autorizimet dhe detyrat e Policisë Ushtarake (PU) do të jenë të ndërlidhura me kufizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, andaj është e domosdoshme që kjo fushë të rregullohet me ligj. Duke marr parasysh se PU vepron brenda dhe jashtë kazermave të FSK-së, ndaj pjesëtareve të uniformuar, punonjësve civil të MM dhe FSK-së dhe qytetarëve gjatë operacioneve brenda dhe jashtë vendit, kërkohet që PU të ketë autorizime specifike ligjore në mbështetje të misionit”, thuhet në memorandum shpjegues.

Tutje, si objektiv i këtij projektligji është se mundëson krijimin e bazës ligjore për autorizimet, detyrat dhe kompetencat e PU-së. Normimi ligjor i kësaj çështje është nevojë dhe domosdoshmëri për operim të PU-së me kompetenca të plota.

Këtu mund të gjeni të plotë procesin legjislativ të këtij projektligji.

Kuvendi po ashtu miratoi ne parim Projektligjin për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).
Për këtë projektligj kanë votuar 68 deputetë. Të gjitha votat ishin për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.