Komuna e Vushtrrise

Kuvendi Komunal në Vushtrri vendos t’i mos vazhdoj kontratën kompanisë në objektin e vjetër të shkollës së Stanofcit të Epërm

Kuvendi Komunal i Vushtrrisë ka votuar pro ndërprerjes së kontratës për kompaninë e tekstilit e vendosur në objektin e shkollë së vjetër, ‘Migjeni’ në fshatin Stanofc të Epërm.

Kësaj kompanie i ishte dhënë objekti i vjetër i kësaj shkolle pa kompensim nga komuna më qëllim krijimin e vendeve të reja të punës në mars të vitit 2021.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të mbajtur më 29 shtator, Komisioni për verifikimin e dhënies së kësaj prone, ka dhënë rekomandim që t’i mos vazhdohet kontrata kompanisë dhe t’i jepet afat i arsyeshëm ligjor për largimin e pajisjeve dhe lirimin e objektit.

Kjo kompani sipas raportit aktualisht ka pasur të punësua rreth 15 punëtorë.

Faton Hyseni, pjesë e komisionit ka arsyetuar rekomandimet ndërsa ka thënë se kompania nuk iu ka përmbajtur kontratës.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar, ish kryetari Xhafer Tahiri duke e quajtur hakmarrje politike.

“Në Vushtrri sot pushteti i ka mbyllur 20 vende të punës, në objektin që po e shihni në video, kur kemi krejt këtë krizë e ikje nga Kosova. Por po sot i njëjti pushtet i ka nda 90,000€ taksa të qytetarëve për të blerë vetura për vete më 2023!Pushteti i drejtë dhe i mirë duhet të punoj për qytetarët pa inate e pa hakmarrje politike”- ka shkruar Tahiri.

Adnan Lahu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka rekomanduar që në këtë kohë krize të mos ndërpritet kjo kontratë por të gjendet një rrugë.

“Është fakt që në disa pika të caktuara në kontratë, kompania nuk është përmbajt. Qysh atëherë e ka pas kontratën një vjeçare, pavarësisht asaj ne e dimë  krizën ekonomike në botë dhe jemi shumë me fat që bizneset e kanë zgjedh Vushtrrinë. Aspektet teknike të punëtorëve, kompania mundet me i rregullu andaj mendoj që është e rrugës që mos t’i nder prehët kontrata dhe ato gra të vazhdojnë punën”- tha Lahu.

Ndërkaq kryetari Ferit Idrizi tha se prona në të cilën është objekti nuk është i komunës por nën administrimin e Agjencisë për Privatizim, andaj ‘nuk kanë çfarë të japin apo të marrin’.

Komisioni lidhur me verifikimin e pronës komunale të dhënë në Stanoc të Epërm rekomandoi që të ndaloj vazhdimin e kontratës së kompanisë; ti jepet një afat i arsyeshëm ligjor për largimin e pajisjeve dhe lirimin e objektit.

Komisioni theksoi se kompanisë i ishte skaduar kontrata në mars të këtij viti dhe se Komuna e Vushtrrisë nuk ka asnjë obligim ndaj kompanisë.

Objekti i vjetër i shkollës së Stanofcit të Epërm, mollë sherri në mes Komunës dhe një pjese të banorëve