Kuvendi i Kosovës ka pezulluar punën - Deputeti merr pjesë në Konferencë ndërkombëtare

Më 10 janar, një ditë para fillimit të fushatës për Zgjedhjet parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka pezulluar aktivitetin në përputhje me Rregulloren e Punës. Ndonëse ende nuk është konstituar legjislatura e re, deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Agon Batusha ka marrë pjesë në Konferencën e Komisioneve Parlamentare për Integrime Europiane të shteteve pjesëmarrëse në procesin e Stabilizim Asociimit të Evropës Juglindore. Konferenca u mbajt në Tiranë, më 28 shkurt 2025.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Batusha ka deklaruar se nuk është në dijeni për procedurat që janë ndjekur për realizimin e vizitës së tij zyrtare në Tiranë, por thotë se për këtë punë është kontaktuar nga Administrata e Kuvendit.

“Nuk e di qysh e ka marrë Vendimin Kuvendi. Ftesën e kemi si Komision për Integrim. Më kanë thënë Administrata: ‘A mundesh me shku që mos me lënë pa përfaqësim (Kuvendin e Kosovës). Unë kam thënë: OK, dhe më s’jam marrë me atë punë.” – ka theksuar ai.

Batusha ka bërë të ditur se ftesa është dërguar qe gati një muaj.

“Kam qenë në Grup punues për Rregulloren e re të COSAP, që me anë të saj, ka qenë ideja që Kosova të pranohet me të drejta të plota. Procedurat nuk i di. I ka kryer Administrata. Unë kam shku me kerr privat. Shpenzimet e di që kanë qenë të mbuluara nga organizatori.” – ka shpjeguar ai.

Por, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci thotë se Vendimin e kanë marrë në Kryesi, në mënyrë që të mos ketë vakum të përfaqësimit.

“Duke e marrë parasysh përvojën që e kemi në përfaqësim ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, si Kryesi e Kuvendit, në pajtueshmëri të plotë kemi marrë Vendim që ky përfaqësim të vazhdojë deri në konstituimin e Kuvendit. Arsyeja është që mos të kemi vakum të përfaqësimit, derisa jemi në proces zgjedhor.” – ka deklaruar Bogujevci.

Në Vendimin që i është ofruar Kallxo.com-it, figuron se më 25.11.2025, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që anëtarëve të delegacioneve të përhershme të Kuvendit t’iu lejohet pjesëmarrja në aktivitete të organizatave ndërkombëtare deri në fund të mandatit.

E, mandati i legjislaturës së tetë përfundon me 22 mars, në datën kur mbushen katër vjet nga konstituimi i saj.

KALLXO.com ka provuar të marrë nga një qëndrim edhe nga Nënkryetarët e tjerë të Kuvendit, nga Kujtim Shala i LDK-së dhe Enver Hoxhaj i PDK-së, rreth Vendimit për përfaqësim të Kuvendit nga Deputet të caktuar, për sa kohë që Kuvendi e ka pezulluar punën, por asnjëri nuk iu ka përgjigjur pyetjeve të Redaksisë.

Ngjashëm nuk është përgjigjur as Rrezarta Krasniqi, e cila udhëheq me Komisionin për Integrime Evropiane – anëtar i të cilit është deputeti Batusha.

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës nuk sheh diçka të kundërligjshme në këtë aspekt.

“Ligjërisht kanë të drejtë.” – ka thënë ai për KALLXO.com.

Megjithatë, me Rregullore të Punës së Kuvendit, i vetmi trup që e ruan vijimësinë e punës në periudhën transitore nga legjislatura në legjislaturë është Kryesia.

“Në rastin kur Kuvendi e pezullon punën për shkak të fillimit të fushatës zgjedhore dhe në rastin kur shpërndahet, Kryetari dhe Nënkryetarët vazhdojnë punën deri në seancën konstituive, me qëllim të ruajtjes së vazhdimësisë administrative të punës së Kuvendit.” – thuhet në Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Vazhdimi i punës nuk parashihet për të tjerët.