Paqartësi rreth mandatit të Qeverisë Kurti pas 22 marsit: Me kompetenca të plota apo të kufizuara?

Më 22 mars 2025 janë mbushur katër vjet nga konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjes së Qeverisë Kurti 2.

Bazuar në Kushtetutën e Kosovës, qeverisë aktuale dhe legjislaturës së tetë të Kuvendit, tashmë u ka përfunduar mandati.

Neni 66, pika 1, e Kushtetutës e përcakton që Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive.

Megjithatë njohësit e Kushtetutës dhe ligjeve kanë interpretime të ndryshme sa i përket mandatit të Qeverisë dhe të Kuvendit.

Vullnet Bugaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë se Qeverisë aktuale nuk i ka përfunduar ende mandati.

“Mandati i Qeverisë përfundon kur të kemi certifikim të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve, sepse ashtu është e përcaktuar nga legjislacioni në fuqi, si dhe lidhet me përfundimin e mandatit të deputetëve dhe mandatin e Kuvendit” – ka deklaruar Bugaqku për KALLXO.com.

Për këtë arsye, ai thotë se Qeveria “Kurti 2” nuk mund të konsiderohet si “Qeveri në dorëheqje”.

“Meqenëse Kuvendi është i përbërë prej deputetëve, tek Ligji për përgjegjësitë e deputetit, në mënyrë shumë të qartë kuptohet që mandati i deputetit të legjislaturës paraprake vlen deri në ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Ky është momentumi i fundit që e bën dallimin se kur Qeveria mund të konsiderohet në dorëheqje. Në këtë rast, meqenëse ne ende nuk kemi certifikim të rezultatit të zgjedhjeve, ende nuk janë plotësuar as kriteret që të quhet Qeveri në dorëheqje. Andaj, në këtë situatë është Qeveri me mandat të plotë” – ka shtuar ai.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazlull Baraliu, thotë se mandati i Kuvendit përfundon kur bëhet betimi, verifikimi i mandateve të deputetëve dhe konstituimi i tij.

Sipas tij, qeveria aktuale konsiderohet në detyrë.

“Qeveria aktuale është në detyrë. Ka mandat vetëm për punë vijuese dhe teknike, jo për vendime të mëdha sepse për vendimet e mëdha duhet të rilegjitimohet me mandat të plotë. Tash është në detyrë, për punë teknike dhe administrative, asgjë më shumë” – ka deklaruar Baraliu për KALLXO.com.

Bugaqku, megjithatë thotë se sipas Kushtetutës e ligjit në fuqi, nuk njihen termet si “Qeveria në detyrë” apo “Qeveria në largim”. I vetmi term që njihet ligjërisht, sipas tij, është ai i “Qeverisë në dorëheqje”.

Tek pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, sipas tij, qeveria mund të quhet si “Qeveri në dorëheqje”.

“Qeveria që konsiderohet në dorëheqje kryen vetëm aktivitete të domosdoshme dhe të planifikuara me planin vjetor të punës, megjithatë ka disa kufizime që neni 31 Ligji, i Qeverisë i përcakton kufizimet e Qeverisë në dorëheqje. Në këtë rast nuk miraton nismat për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare, nuk miraton as projekt-amandamente të Kushtetutës apo nisma për krijim të ndonjë ligji” – ka shpjeguar Bugaqku.

Tutje ai ka thënë se një Qeveri në dorëheqje nuk mund të miratoj ndonjë strategji apo koncept dokument. Qeveria e tillë po ashtu nuk mund të bëj propozimin e kandidatëve për të cilët kërkohet emërimi nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Me gjithë këto kufizime, Qeveria në dorëheqje zhvillon të gjitha veprimet për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat ratifikohen nga Presidenti.

Paragrafi 3 i këtij neni, për kufizimet e Qeverisë thotë “Në rast të fatkeqësive natyrore, shëndetësore apo situatave të tjera emergjente të përcaktuara me ligje të veçanta, Qeveria në dorëheqje ka të drejtë të bëjë përjashtim nga paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 dhe 1.2 të këtij neni, për aq sa kjo justifikohet me nevojën për menaxhimin e situatës së tillë si dhe kërkohet vendimmarrja e Qeverisë”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve parlamentare, më 15.03.2025.

Sipas këtyre rezultateve, në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 kanë marrë pjesë 966,283 votues, apo 46.54%.

Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 396,787 vota, apo 42.30%; PDK është renditur e dyta me 196,474, apo 20.95%; LDK e treta me 171,357, apo 18.27%; AAK-Nisma me 66,256 vota, apo 7.06%.

Sipas numrit të ulëseve që kanë siguruar në Kuvendin e Kosovës, partitë janë renditur kështu: LVV me 48 deputetë, PDK me 24 deputetë, LDK me 20 deputetë, Lista Serbe me 9 deputetë, AAK-Nisma me 8 deputetë etj.