Kujtim Munishi - Kryeprokurori i ri i Prishtinës

Kush është Kujtim Munishi, Kryeprokurori i ri i Prishtinës?

Këshilli Prokurorial i Kosovës sot zgjodhi Kryeprokurorin e Prishtinës

Në krye të Prokurorisë me numrin më të madh të lëndëve në vend erdhi Kujtim Munishi, aktualisht ushtrues detyre i kryeprokurorit.

Kujtim Munishi u bë i njohur për publikun në momentin kur e trajtoi dhe e mbylli rastin Lumezi.

Ai ishte prokurori i cili kishte hetuar pretendimet e ish kreut të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, se Kryeprokurori i shtetit Aleksandër Lumezi kishte falsifikuar dosjen e Jurisprudencës.

Pasi kishte përfunduar hetimet nga ana e Munishit, Prokuroria e Prishtinës kishte dalë me komunikatë dhe kishte njoftuar se dosja e provimit të jurisprudencës e Kryeprokurorit të Shtetit është konform procedurave dhe dispozitave të dhënies së këtij provimi.

Gjatë kohës sa ishte duke e hetuar dosjen e Aleksander Lumezit, prokurori Kujtim Munishi ishte ngritur në detyrë pasi me 30 maj 2017 ishte emëruar udhëheqës i departamentit të krimeve të rënda në Prishtinë.

Pas kësaj pozite me 7 qershor 2019, Kujtim Munishi ishte emëruar ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Prishtinës me vendim të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Ky veprim i KPK-së, ishte cilësuar i kundërligjshëm nga ana e Zëvendëskryeprokurorit Ibrahim Berisha.

Lidhur me këtë vendim prokurori Berisha e kishte paditur Këshillin Prokurorial duke kërkuar anulimin e vendimit, mirëpo padia e tij ishte rrëzuar nga Gjykata e Prishtinës.

Gjatë karrierës së tij si prokuror, Kujtim Munishit i kishte rënë hise që të hetonte një zëvendës ministër.

Kujtim Munishi ishte prokurori i cili kishte ngritur aktakuzën kundër zëvendës ministrit Musa Cena për marrje ryshfeti.

Ai e akuzonte Cenën se si shef i drejtorisë së Bujqësisë në Rahovec kishte marrë shumën  prej 15.000 euro nga i dëmtuari Afrim Berisha në emër të një grandi.

Cena ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, dënim i cili ishte kthyer me gjobë me që rast zëvendës ministrit nuk i kishte rënë të shkonte asnjë ditë të vetme në burg.

Në kohën sa Munishi ishte ushtrues i detyrës së Kryeprokurorit në Prokurorinë e Prishtinës ai u përmend për rolin e tij në dosjen ndaj për veturën “Bently’ të Morena Tarakut.

Prokurori i rasti kishte përmendur që në konsultim me Munishin ishte vendosur që vetura të kthehej tek pronari.

Tutje rasti kishte vazhduar me problemet me hetimin e zyrtarëve Doganorë për të cilët u inicua rast për zbulim të fshehtësisë zyrtare. Lexoni të plotë artikullin

Kujtim Munishi u zgjedh Kryeprokuror me 10 vota pro dhe asnjë kundër. Mandati i tij fillon me 1 janar 2020 dhe zgjat katër vite.