Kërkohet shkarkimi i kryeprokurorit Munishi dhe prokurorit Ruhan Salihu

Organizatorët e protestave “Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, që denoncon krimet seksuale ndaj vajzave dhe grave dhe neglizhimin institucional, ka zhvilluar një aksion simbolik para Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Në këtë aksion është kërkuar shkarkimi i kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi dhe e prokurorit, Ruhan Salihu.

Shkarkimi i tyre është kërkuar për shkak të rastit ku pretendohet se një 11-vjeçare është dhunuar seksualisht dy herë brenda tre muajve, rast për të cilin në paraburgim janë 11 persona.

“Aksioni i sotëm është duke e mbajt vëmendjen tek ajo që ne e dimë si të vërtetë, Prokuroria Themelore në Prishtinë është bashkëfajtore në përdhunimin e të miturës 11-vjeçare në gusht të 2022” – tha Anita Mjeku, aktiviste e kësaj organizate.

Ajo shtoi se në qershor të këtij viti, 11-vjeçarja kishte raportuar përdhunimin nga 6 burra, rast ky i cili, sipas Mjekut, kishte kaluar në duart e prokurorit Salihu.

“Ruhan Salihu e neglizhoi komplet rastin e që dërgoi në përdhunimin e dytë të së miturës, kësaj radhe nga 5 persona” – tha Mjeku.

Gjithashtu, ajo tha se prokurorin Salihu është i njohur për neglizhimin e krimeve seksuale kur në fjalë janë grupet e paprivilegjuara shoqërore.

Mjeku shtoi se i njëjti prokuror ka qenë edhe në rastin e Kujtim Veselit, 11-vjeçar, i cili u përdhunua dhe më pas edhe u vra, e që sipas aktivistes kjo ndodhi si pasojë e neglizhimit të institucioneve.

“Me dy raste që ne i dimë ku Ruhan Salihu ka dështuar ta kryejë punën e vetë, duke u bërë kështu bashkëfajtor në dhunim dhe vrasje, ai ende vazhdon të punojë i pa shqetësuar, duke paraqitur kështu rrezik të mëtejshëm për sigurinë e të gjithë neve” – shtoi Mjeku.

Ajo tutje ka thënë se për mos trajtimin e duhur të rasteve të krimeve seksuale duhet të jap përgjegjësi edhe kryeprokurori Munishi.

“Ky i fundit është gjithashtu përgjegjës për lëshimet e një pas njëshme të prokurorëve dhe rrezikimin e mëtejshëm të jetës së vajzave dhe grave” – ka thënë Mjeku.

“Sot ne i shpallim Prokurorinë dhe KPK-në si zona krimi. Përmes këtij institucioni mirëmbahen dhe riprodhohen prokurorë neglizhentë, seksistë e racistë që më pas shndërrohen edhe në bashkëfajtorë të krimeve me bazë gjinore” – u tha nga ana e Mjekut.

Në fund, ajo paraqiti edhe kërkesën e tretë që ka kjo organizatë, e e cila është që Këshilli Prokurorial të kërkoje heqjen e lëndës nga Prokuroria në Prishtinë dhe ta kaloj atë tek Prokuroria Speciale e Kosovës për hetim të mëtejshëm.

Një kërkesë të njëjtë, lidhur me rastin e dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë, ka pasur edhe rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN dhe Interneës Kosova.

BIRN dhe IKS i kanë kërkuar u.d. Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi që ta delegojë në Prokurorinë Speciale të Kosovës, kryeprokuror i së cilës është Blerim Isufaj, hetimin mbi mënyrën e trajtimit të rastit të 11-vjeçares e cila u raportua si viktimë e dhunimit seksual.

Kërkesa e BIRN dhe I/KS vjen pasi në redaksinë e KALLXO.com janë paraqitur informacione se qysh herën e parë kur ishte marrë në pyetje, e mitura  kishte dhënë emrat e tre personave që dyshohet se e kishin dhunuar.

Ndonëse këta tre emra ishin dhënë nga e mitura 11-vjeçare, informacionet e dërguara në KALLXO.com tregojnë se të njëjtit nuk ishin arrestuar.

BIRN dhe IKS në shkresën drejtuar Kryeprokurorit theksojnë se është e domosdoshme që në këtë rast të hetohet i gjithë zinxhiri institucional për mosndërmarrjen e veprimeve, duke filluar nga zyrtarët policorë, punëtori social, mbrojtësi i viktimave dhe prokurori i shtetit.

BIRN dhe IKS përmendin edhe konferencën e Prokurorisë së Prishtinës si arsye për dërgimin e lëndës në Prokurorinë Speciale.

“Duke e pasur parasysh faktin se në fillim të kësaj jave Prokuroria e Prishtinës në konferencën e organizuar për media ka dhënë informata se çdo gjë është trajtuar me kohë dhe sipas ligjit, dhe nuk e ka përmendur faktin se viktima i kishte dhënë emrat e tre të dyshuarve, konsiderojmë se një veprim i tillë është bërë me qëllim të eliminimit të dyshimeve mbi organet ndjekëse”- thuhet në shkresë.

Përmes kësaj shkrese BIRN dhe IKS i kërkojnë Kryeprokurorit të Shtetit që të analizohet me kujdes e gjithë dosja penale e trajtimit të rastit nga secili akter institucional, të analizohet deklarata e të miturës në Prokurori dhe të vlerësohet pse nuk janë arrestuar tre personat të cilët i ka paraqitur para organeve e mitura.

Sipas BIRN dhe IKS e vetmja mënyrë që të largohen dyshimet mbi organet e drejtësisë është delegimi i rastit nga Prokuroria e Prishtinës në Prokurorinë Speciale, pasi hetimi nga Prokuroria e Prishtinës e ka humbur arsyen.

“Për qëllim të eliminimit të çfarëdo dyshimi dhe ngritjes së besueshmërisë së qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe organin e prokurorisë, kërkojmë nga ju që mbi bazën e kompetencave që u janë dhënë me Ligjin për prokurorin e shtetit ta merrni çështjen në fjalë dhe të njëjtën ta dërgoni për hetim të mëtejmë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”- thuhet në shkresën e BIRN dhe IKS drejtuar Kryeprokurorit Kelmendi.

11 persona janë arrestuar brenda dy javëve në lidhje me dhunimin e të miturës 11-vjeçare nga Prishtina.

Pesë të parët u arrestuan lidhur me dyshimet se kishin dhunuar të miturën në gusht të këtij viti, ndërsa gjashtë të tjerë u arrestuan në fillim të muajit shtator mbi dyshimet për trafikimin dhe dhunimin e 11-vjeçares.

Rasti i parë për të cilin u arrestuan gjashtë persona dyshohet se ishte kryer më datën 21 qershor të këtij viti.

Atë ditë sipas dosjes hetimore e mitura ishte dhunuar nga mëngjesi deri në mbrëmje. Diku rreth orës 8 të mëngjesit e mitura 11-vjeçare dyshohet se ishte dhunuar nga D.Rr., 23-vjeçar.

Më pas siç përshkruhet në dosjen e prokurorisë, D.R., e kishte vënë viktimën në kontakt me dy persona të tjerë B.S., 26-vjeçar dhe G.S., 25-vjeçar. Të dy këta persona dyshohet për shërbime seksuale të viktimës së trafikimit.

Gjatë asaj dite viktima dyshohet se ishte dhunuar në motel edhe nga F.S., 22-vjeçar dhe M.S., 21-vjeçar.

E pikërisht pas këtij rasti, e mitura 11-vjeçare ishte dëgjuar nga prokurori i shtetit në praninë e punëtorit social dhe sipas informacioneve akoma të pakonfirmuara të cilat kanë ardhur në KALLXO.com, e njëjta i kishte dhënë emrat e tre personave të dyshuar.

Ndonëse e njëjta ishte dëgjuar, arrestimet kishin ndodhur më shumë se dy muaj më vonë, pra në fillim të muajit shtator.

Pas rastit të parë, e mitura 11-vjeçare dyshohet se kishte qenë sërish viktimë e trafikimit në fund të muajit gusht.

Në lidhje me këtë rast u arrestuan pesë persona të cilët dyshohen për veprën penale të dhunimit.

Sipas dosjes hetimore dhunimi kishte ndodhur në një nga parqet e kryeqytetit, pasi tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit përshkruhet se kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ,ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.

Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.

Dy të dyshuarve për këtë rast i është caktuar paraburgimi, ndërsa dy të tjerë kanë dalë para gjykatës, ndërsa po pritet vendimi i gjykatës.

BIRN dhe I/KS kërkojnë hetimin e zinxhirit institucional në rastin e dhunimit të 11-vjeçares