Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi në raportim para Komisionit për të Drejtat e Njeriut | Foto: KALLXO.com

Kryeprokurori Munishi flet para deputetëve për rastin e dhunimit të 11-vjeçares

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kujtim Munishi ka folur për herë të parë për rastin e dhunimit të 11-vjeçares para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Munishi ka shpjeguar në mënyrë kronologjike veprimet e marra nga prokuroria për rastin e parë të dhunimit të 11-vjeçarës në muajin qershor të këtij viti.

Ai tha se është e padrejtë që të kërkohet dorëheqje dhe të jepet një gjykim jo i drejtë nga palët e treta duke mos i parë shkresat e lëndës.

Munishi tha se prokuroria nuk është vonuar në asnjë veprim por vetëm kanë pritur ekzaminimin e telefonit të viktimës si dhe arsyetoi mos intervistimin e viktimës menjëherë pas dhunimit.

“Me 7 korrik, prokurori i rastit e ka dëgjuar viktimën. Pas çdo rasti post-traumatik i japim mundësi viktimës të rehabilitohet që e njëjta të jetë në gjendje emocionale dhe fizike. Më 21 korrik ajo është liruar nga strehimorja. Çdo hap ka qenë me urgjencë, çdo shkresë e ka pas që duhet me u trajtu me prioritet të lartë. Është e padrejtë të kërkohet dorëheqje apo të jepet një gjykim jo i drejtë pa i pa shkresat e lëndës”, tha ai.

Tinka Kurti, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje ka pyetur Munishin nëse e ndjen vetën fajtor për rastin.

“Një shoqëri ka kërkuar dorëheqje nga ti. A ndjeni pak moral edhe të jepni dorëheqje?” – tha ajo.

“Ju jeni ata që jeni në pushtet dhe e dini se në çfarë kushte punojnë strehimorja, qendra për punë sociale. Arsyetimi i qeverisë është që nuk kemi qysh me ju financu” – iu kundërpërgjigj Munishi.