Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari – Lila: Serioziteti i Qeverisë Kurti pamundësoi kushtëzimin e mëtutjeshëm në heqjen e vizave

Kryetarja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari – Lila teksa ka folur për procesin e liberalizimit të vizave, ka thënë se vullneti politik i munguar tek vendet e Bashkimit Evropian u rikthye me kredibilitetin e qeverisjes në Kosovë.

Ajo ka thënë se serioziteti i Qeverisë Kurti ka pamundësuar kushtëzimin e mëtutjeshëm të liberalizmit të vizave.

“Serioziteti i Qeverisë Kurti në zbatimin e reformave për rend dhe ligj, për transparencë dhe llogaridhënie, për liri të fjalës dhe media të lira, përkushtimi në barazi të palëve dhe mbajtje në llogaridhënie Serbinë në dialog, pamundësoi shtyrjen dhe kushtëzimin e mëtutjeshëm të kësaj të drejte të mohuar gjatë për qytetarët e vendit”- ka thënë ajo.

Kusari – Lila ka thënë se liberalizimi i vizave ndër vite është lidhur me procese politike, qoftë me dialogun Kosovë – Serbi.

“Ky proces ndër vite u lidh edhe me proceset politike që në kontekstin e lëvizjes së lirë nuk kishin asnjë ndërlidhje mes vete. Pa arsyetime formale liberalizimi përdorej si shkop i kushtëzimit të Kosovës në procesin e dialogut”- ka thënë Kusari – Lila në Kuvend.

Ajo ka thënë se pas nënshkrimit të aktit në Strasburg, u përmirësua një padrejtësi që pengoj për 10 vite me radhë udhëtimin pa viza për kosovarët.

Vendimi për liberalizmin e vizave për Kosovën është nënshkruar dje nga presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola dhe nga ministrja e Suedisë, Jessika Roswall, e cila e përfaqëson Këshillin e Bashkimit Evropian.

Nënshkrimi është bërë dje pasi të martën Parlamenti Evropian në seancë plenare ka miratuar vendimin për liberalizmin e vizave për Kosovën, me çka edhe ka marrë fund procesi i vendimmarrjes.

Ky vendim do të shënojë njëherit edhe hapin e fundit e procesit të liberalizimit të vizave, i cili ka zgjatur më shumë se 10 vite prej kur ka filluar dialogu për liberalizimin e vizave për kosovarët.

Sipas vendimit, data e nisjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës do të jetë koha kur të jetë funksional sistemi i autorizimit dhe verifikimit të udhëtimeve (ETIAS), apo jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.