Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kusari – Lila: AAK-ja e ka Sindromën e Stokholmit

Kandidatët për kryetar të Gjakovës, Ardian Gjini nga AAK dhe Mimoza Kusari-Lila nga LVV janë përplasur në #DebatPernime për balotazhin në këtë komunë, në lidhje me përkushtimin për qeverisjen e Komunës.

Fillimisht, Kusari-Lila shfaqi akuza ndaj AAK-së, duke thënë se kjo parti e ka Sindromën e Stokholmit.

“Aleanca fatkeqësisht e ka Sindormën e Stokholmit. Këta e bëjnë atë që e kanë bërë serbët dikur, propagandën. RTS kur ka folur për shqiptarët kanë thënë ata s’janë autoktonë, s’janë kështu, s’janë ashtu. Njëjtë ju e thoni për mu: Ti s’je në Gjakovë, ti ke qendru dy orë në Komunë. Më lejo të rikujtoj ty që unë jam e lindur dhe e rritur në Gjakovë, që dashuria dhe përkushtimi im për Gjakovën nuk mundet me u matë me statistika tuaja, deklarata banale”, tha ajo.

Sindoroma e Stockholmit është një gjendje psikologjike në të cilën viktima e një pengmarrjeje mund të shfaqë ndjenja pozitive ndaj pengmarrësit / rrëmbyesit të saj.

Kurse Gjini tha se kjo deklaratë, “është tepër fyese”.

“Çka je bo nervoz prapë, çka ke?”, i tha Gjini kandidates së LVV-së.

“Nuk fyhem prej teje Mimoza. Aleanca janë disa djem, disa gra e disa burra e disa vajza shqiptarë po edhe të pakicave të Gjakovës e të gjithë Kosovës. Ti mundesh me thanë jeni si serbë, jeni çka të doni. Është me të vërtetë shumë fyese për të gjithë ata njerëz, nuk është në rregull çka je duke fol. Nuk të kam thënë kurrë që s’ke lindë në Gjakovë, bravo, është mirë me lindë në Gjakovë. Veç të kam thënë që sa ke qenë kryetare e Komunës, ke jetu në Prishtinë dhe kjo hiç nuk është për bravo”, tha ai.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjakovës diskutojnë në #DebatPernime për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në #DebatPernime janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Gjakovë: Ardian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Mimoza Kusari – Lila nga Lëvizja Vetëvendosje.

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së, kandidati i AAK-së  për kryetar të Gjakovës Ardian Gjini në raunadin e parë të zgjedhjeve më 17 tetor ka marrë 18 mijë e  973 vota apo 45.76 për qind. Kurse kandidatja e LVV-së Mimoza Kusari – Lila ka siguruar 15 mijë e 426 vota apo  37.20 për qind.

Debati po transmetohet në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.