Kurti: Zvogëlimi i pranisë policore në veri do të jetë gradual e proporcional

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se zvogëlimi i pranisë policore komunat veriore vlen vetëm për objektet komunale dhe jo për të gjithë veriun.

“Ashtu qysh kemi thënë para më shumë se dy muajve: 1) nuk do të ketë zvogëlim të përnjëhershëm dhe as të menjëhershëm të pranisë së policisë, por vetëm gradual e proporcional; 2) zvogëlimi vlen për praninë policore në ndërtesat komunale dhe rrethinat e tyre, e jo për veriun e vendit, ku ka ende sfida e punë për sundim të plotë të rendit e ligjit”- ka shkruar Kurti në facebook.

Kurti ka thënë se zvogëlimi i pranisë policorë po bëhet për shkak se situata në veri të vendit është e qetë.

“Nga sot filloi zvogëlimi edhe për 25% të tjera i pranisë së policisë së Kosovës në tri ndërtesat e komunave në veri të vendit tonë. Kjo vjen pas vlerësimit të gjendjes së sigurisë nga mbledhja që pardje mbajtën drejtues të Policisë së Kosovës me EULEX-in dhe KFOR-in”- ka shkruar ai

“Pra, siguria është e mirë, situata është e qetë, dhe mund ta zvogëlojmë ca praninë e policisë sonë. Sundimi i ligjit dhe rendi publik po mirëmbahen gjithnjë e më shumë e më mirë. Janë bërë rreth një muaj e gjysmë që nuk kemi incidente të theksuara e protesta të dhunshme. Falënderojmë policinë dhe qytetarët pa dallim për bashkëpunimin dhe korrektësinë”- ka theksuar ai.

Kurti ka thënë se Kosova po zbaton me përgjegjësi dhe seriozitet, sinqeritet dhe kujdes, marrëveshjen e Bratisllavës nga 10 korriku 2023 në funksion të kërkesave të BE-së nga 3 qershori 2023 për de-eskalim.

“Konstatimi i përbashkët me faktorët ndërkombëtarë për përmirësimin e dukshëm të nivelit të paqes dhe sigurisë në veri dëshmon për de-eskalim të qartë. Njëkohësisht, ne jemi vigjilent për ri-eskalimin potencial që mund të vijë nga deklaratat që nxisin urrejtje dhe agresiviteti politik e shtetëror i fqinjit tonë verior”- ka shkruar ai.

Kurti edhe njëherë ka bërë thirrje që qytetarët të mos bien pre e dezinfomatave për veriun.

“Ftojmë qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave të ndryshme, prej atyre që janë pasojë e keqkuptimit, moskuptimit a keqinterpretimit të situatës dhe zhvillimeve e deri tek ato që janë dëshira anti-qeveritare të transmetuara publikisht si lajme faktike. Lufta hibride kundër Republikës së pavarur të Kosovës dhe qeverisë së saj demokratike e progresiste do të dështojë”- ka theksuar ai.

Sot është bërë zvogëlimi i pranisë së trupave policore në objektet dhe përreth objekteve komunale në 4 komunat veriore.

Ky është një nga hapat e dakorduar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Dakordimi i BE-së me Qeverinë e Kosovës parasheh edhe vlerësimin e vazhdueshëm të gjendjes për zvogëlim të mëtejmë të kësaj prezence, nxitje të zgjedhjeve të parakohshme lokale si dhe vendosjen e bazës së nevojshme ligjore.

Forcat e rendit në objektet e komunave veriore përkatësisht në Zubin, Potok, Zveçan dhe Leposaviq janë shtuar pasi serbët lokalë e kanë kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ato komuna.

Tensionet në veri të Kosovës nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë. Për të kundërshtuar këtë, serbët kanë mbajtur protesta.

 

Zvogëlohet numri i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri