Foto: ZKM

Kurti viziton ASK-në, interesohet për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare e banesave

Kryeministri Albin Kurti ka vizituar sot Agjencinë e Statistikave të Kosovës për t’u njoftuar me punën e ASK-së në planifikimin dhe realizimin e procesit të regjistrimit të popullsisë që do  të fillojë në muajin prill 2024.

I shoqëruar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Kurti pa për së afërmi proceset teknike të përfunduara nga ASK-ja e që luajnë rol kyç në organizimin e procesit dhe mbarëvajtjen e tij.

Në njoftim bëhet e ditur se numri i regjistruesve dhe monitoruesve bashkë me tabletët dhe pajisjet e nevojshme për regjistrim tashmë janë gati.

“Numri i regjistruesve dhe monitoruesve bashkë me tabletët dhe pajisjet e nevojshme për regjistrim tashmë janë është gati. Kryeministri tha se nuk ka proces më të rëndësishëm për planifikim sesa regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave dhe ofroi mbështetje të plotë për ASK-në ashtu që censusi të zhvillohet me përpikëri të nevojshme e sipas standardeve të EUROSTAT-it”- thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Më tej, në kumtesë theksohet se ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, bashkë me ekipin e drejtorëve të ASK-së, njoftoi kreun e ekzekutivit për hapat e radhës në kuadër të procesit të regjistrimit të popullsisë, përfshirë organizimin e regjistrimit të diasporës përmes platformës e-Kosova.

Kurti ka falënderuar ASK-në për punën, përkushtimin dhe angazhimin e tyre.

“Qëndrojmë së bashku në realizimin e këtij projekti të madh, regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave”- ka deklaruar Kurti sipas komunikatës.

Regjistrimi i popullsisë që ishte planifikuar të bëhej në vitin 2021, dhjetë vjet pas regjistrimit të parë të popullsisë, ishte shtyrë për shkak të pandemisë COVID-19 dhe zgjedhjeve lokale që janë mbajtur në tetor të vitit 2021.

Në qershor të vitit 2021, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Buxhet dhe Transfere, kishte deklaruar se regjistrimi i popullsisë së Kosovës do të shtyhet për vitin 2022. Por regjistrimi i popullsisë nuk u bë as në vitin 2022. Ligji për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare u miratua në Kuvendin e Kosovës me 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim në seancën e 21 korrikut 2022.

Në nenin 6 të Ligjit që ka hyrë në fuqi në gusht të vitit 2022 thuhet se vendimi për datën e regjistrimit merret nga Qeveria jo më vonë se 9 muaj para datës së regjistrimit. Bazuar në këtë, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 30 shtator 2022, ishte vendosur që regjistrimi i popullsisë të realizohej brenda periudhës 1 shtator – 16 tetor 2023.

Por, më 23 gusht 2023, disa ditë para 1 shtatorit, Qeveria e Kosovës mori vendim që ta shtyjë këtë proces për dy muaj. Sipas këtij vendimi, regjistrimi i popullsisë pritej të fillonte më 1 nëntor 2023 dhe të zgjaste deri më 15 dhjetor 2023.

Pak ditë para fillimit të muajit nëntor, kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar se 1 nëntori 2023 vazhdon të mbetet si dita në të cilën do të fillojë regjistrimi i popullsisë.

Por edhe përkundër se kaluan mbi 20 ditë të muajit nëntor, regjistrimi i popullsisë nuk filloi siç ishte planifikuar. Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, të mbajtur më 22 nëntor 2023, kryeministri Kurti njoftoi se regjistrimi i popullsisë është shtyrë për në muajin prill 2024.

“Gjatë javës së kaluar kam përdorur autorizimin tim ligjor për të ndryshuar menaxhmentin e ASK-së, letra informuese që e kam pranuar nga ushtrues i ri i drejtori dëshmon që regjistrimi nuk është menaxhuar mirë. Nisur nga kjo e në veçanti për t’i dhënë kohë udhëheqjes së re, propozoj që regjistrimi të shtyhet nga 5 prill deri 17 maj 2024”- deklaroi Kurti në mbledhjen e 22 nëntorit 2023.

Disa ditë para se të jepej lajmi për shtyrjen e procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, më 17 nëntor 2023, kryeministri Kurti emëroi Avni Kastratin, ushtrues detyre të drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Kastrati u emërua në vend të Ilir Berishës.

Regjistrimi i Popullsisë në Kosovë bëhet sipas Ligjit për regjistrimin e popullsisë, të ekonomive familjare dhe të banesave.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është bërë në vitin 2011. Numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë ishte 1,739,825. Por, në këtë regjistrim nuk ishin përfshirë banorët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, pasi që në atë kohë ata e kishin refuzuar procesin.

Ndërsa sipas vlerësimit të popullsisë të vitit 2021, Kosova kishte 1,773,971 banorë.

Arsyet që çuan në zvarritjen e regjistrimit të popullsisë