Foto: Facebook/Albin Kurti.

Kurti takon kampionët e basketbollit, KB "Trepça": E ardhmja e basketbollit kosovar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar basketbollistët e Klubit të Basketbollit “Trepça” nga Mitrovica, të cilët janë shpallur kampion të stinorin 2023/24.

Pasi i ka uruar për suksesin në kampionat, Kurti ka thënë se KB “Trepça” është e ardhmja e basketbollit në vend.

“40 fitore, klubit të basketbollit Trepça i sollën katër trofe. Stinori 2023/24 do të mbahet mend si historik për klubin. E për tifozët, të cilët në tribuna shpesh djersiten e përjetojnë më shumë se basketbollistët në parket, është mirënjohja dhe gëzimi më i madh në 40-vjetorin e organizimit të tyre si grupi Torcida. Trepça këtë stinor u shpall kampion i Kosovës, fitoi Superkupën e Kosovës, Kupën e Kosovës dhe Ligën Unike me Shqipërinë”- ka shkruar ai në Facebook më 07.06.2024.

Kurti ka lavdëruar punën që po bën ky klub më grup-moshat e reja.

“Ndërkaq, fakti që ekipi U-12 është po ashtu kampion sivjet dhe fitues i Kupës së Kosovës për këtë grup-moshë, tregon që Trepça nuk është vetëm e tashmja por edhe e ardhmja e basketbollit në vend” – ka pohuar Kurti.

KB “Trepça” është shpallur kampion i Kosovës për stinorin 2023/2024, pasi mposhti klubin e basketbollit nga Suhareka “Golden Eagle Yllin”.