Foto: KALLXO.com

Kurti takoi ambasadorët e QUINT-it, thërret konferencë për media

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mëngjesin e sotëm ka zhvilluar një takim me ambasadorët e QUINT-it në Kosovë.

Pas takimit, i cili është mbajtur i mbyllur, ambasadorët e QUINT-it nuk janë deklaruar për media.

Ndërsa, kryeministri Kurti ka paralajmëruar konferencë për media sot në ora 11:00.

Kjo është konferenca e parë për media e kryeministrit Kurti pas situatës së krijuar në katër komunat në veri të vendit.

Që nga mesdita e 26 majit serbët lokalë të komunave veriore të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit janë grumbulluar dhe kanë protestuar duke kundërshtuar vendosjen e katër kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Situata e sigurisë arriti kulimin e tensionimit të hënën më 29 maj kur protestuesit u përplasen me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Rreth 30 paqeruajtës u lënduan, ndërsa tre u plagosën nga arma e zjarrit, konfirmoi zyra për medie e këtij misioni.

Që nga ajo kohë, reagime për gjendjen e krijuar pati nga të gjitha anët.

SHBA-të dhe BE vazhdimisht kanë kërkuar shtendosje të situatës në veri të Kosovës. Pas tensioneve në veri, SHBA ka përjashtuar ushtrinë e Kosovës nga ushtrimi Defender 23.

Por kryeministri Albin Kurti, në secilën paraqitje publike kishte përsëritur qëndrimin se, policia po siguron hyrjen në objekte të kryetarëve dhe sipas tij, ata që duhet të largohen janë grupet kriminale.