Kurti takohet me kryeministrin e Greqisë, flet për dialogun dhe Rregulloren e BQK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë qëndrimit në Mynih të Gjermanisë, ka zhvilluar një takim bilateral me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se zhvillimi ekonomik, qeverisja e mirë, bashkëpunimi në rrafshin ekonomik dhe tregtar, mundësitë për investime në Kosovë, procesi i dialogut dhe rregullorja e Bankës Qendrore mbi Operacionet me Para të Gatshme, ishin temat kryesore të këtij takimi.

“Theks të veçantë gjatë këtij takimi, kryeministri Kurti i dha prioritizimit që i ka bërë Qeveria energjisë së ripërtëritshme dhe mundësitë që vendi ynë ofron për investime në këtë sektor”- thuhet në komunikatën e lëshuar më 16.02.2024.

Gjithashtu, Kurti e ka njoftuar kryeministrin Mitsotakis se pas ankandit të parë solar 100 MË, do të ketë edhe një ankand tjetër për energji të erës, i cili paraqet një mundësi të re dhe shtesë për investime në Kosovë nga kompani greke.

Kryeministri i Kosovës po qëndron në Mynih të Gjermanisë në kuadër të Konferencës së Sigurisë.

Më herët, Kurti është takuar me kryetarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq.

Me këtë të fundit, ndër tjera ka theksuar rëndësinë dhe nevojën e ratifikimit nga Bosnja dhe Hercegovina të marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime ndërmjet dy vendeve.

Kuvendi i Kosovës me datë 23.02.2023, e kishte ratifikuar marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë me Letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, e cila parashihte lëvizjen vetëm më letërnjoftime me Bosnjën dhe Hercegovinën.

Kjo marrëveshje është njëra nga tri marrëveshjet e nënshkruara në nëntor të vitit 2022 në kuadër të Samitit të Berlinit.