Kurti takohet me ambasadorët e Quint-it, flasin për pandemi e politikë

Ambasadorët e Shteteve të QUINT-it dhe BE-së janë pritur sot në një takim nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në këtë takim Kurti së bashku me Ministrin e Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, u takuan me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, ambasadorin e Gjermanisë,  Christian Heldt, ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel, ambasadorin e Britanisë së Madhe,Nicholas Abbott, ambasadorin e Italisë, Nicola Orlando, dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë,  Nataliya Apostolova.

Në këtë takim, Kurti ka njoftuar ambasadorët mbi gjendjen aktuale në menaxhimin dhe parandalimin e COVID-19 si dhe mbi vendimet e fundit për lehtësimin gradual të masave.

“Këto vendime kanë për qëllim rihapjen e ekonomisë, e cila sikurse shëndeti publik është rrezikuar e dëmtuar nga pandemia”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.

Tutje në njoftim thuhet se palët në këtë takim kanë diskutuar edhe për situatën aktuale politike në Kosovë, gjersa është bërë e ditur se presin aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë takim ambasadorët e vendeve te QUINT-it kanë shprehur nevojën për stabilitet dhe demokraci në vend.