Kurti: Serbia paraqet kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka renditur disa veprime të Serbisë përgjatë vijës kufitare me Kosovën duke thënë se ajo paraqet kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e vendit.

Sipas Kurtit, aspiratat territoriale të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës e minojnë paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Serbia në vazhdimësi kërcënon ushtarakisht Republikën e Kosovës, deri në faktin që renditë artilerinë e saj ushtarake rreth kufirit tonë. Për më tepër, ajo ka ndërtuar 48 baza të përparme apo ofensive, 28 ushtarake dhe 20 të xhandarmërisë, rreth kufirit tonë. Këtë e ka bërë përgjatë vijës sonë kufitare e cila është  381 kilometra e gjatë, dhe paraqet kërcënim të vazhdueshëm për sigurinë e vendit tonë”- ka thënë Kurti në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Ai tutje ka thënë se Kosova është e përkushtuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me fqinjët përmes dialogut, veçanërisht me Serbinë, duke u bazuar në parimet e reciprocitetit e me njohje të ndërsjellë mes shteteve.

Ndërsa ka thënë se përballë sfidave globale të sigurisë është e domosdoshme ndihma, bashkëpunimi dhe bashkëveprimi i të gjitha shteteve që mbështeten në vlera demokratike.

“Kurti ritheksoi se institucionet tona të sigurisë gëzojnë bashkëpunim të shkëlqyer mes vete e me partnerët tanë strategjikë, dhe kjo është garanca e menaxhimit me sukses të çdo emergjence apo sfide të sigurisë. Ato janë të ndërtuara dhe operojnë me dokumente strategjike që parashohin veprime konkrete dhe ndarje të përgjegjësive, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve tanë, dhe vendin tonë”- thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Në mëngjesin e 24 shtatorit 2023, pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua pas një sulmi nga një grup terrorist në Banjskë të Zveçanit. Në ditën kritike Policia sekuestroi 24 automjete, dy autoblinda e arsenal të madh armatimi luftarak që i kishte grupi terrorist.

Ish-nënkryetari i Listës Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që ka edhe mbështetjen e Qeverisë serbe – Millan Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për sulmin ndërsa ka dhënë dorëheqje nga posti në partinë që i përkiste.