Kryeministri Kurti në takim me studentë nga Universiteti i Amsterdamit. FOTO: ZKM.
Kurti pret në takim studentë nga Universiteti i Amsterdamit, u flet për situatën në veri të Kosovës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar sot për një bashkëbisedim një grup studentësh nga Universiteti i Amsterdamit nga 14 shtete të botës, të cilët janë duke e zhvilluar një vizitë studimore në Kosovë.
Në bisedim me studentët, Kurti ka folur edhe për situatën në veri dhe i ka informuar ata për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat e Policisë së Serbisë.
“….Kryeministri Kurti para studentëve, një grup prej mbi 25 persona, foli edhe për zhvillimet e fundit në vend, me theks te situata në katër komunat në veri të vendit dhe për raportet me Serbinë, agresionin e ditës së mërkurë me rastin e rrëmbimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe, procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE, dhe për Marrëveshjen Bazike dhe Aneksin e saj” – thuhet në komunikatën për media.
Zyra e kryeministrit ka njoftuar se kreu i qeverisë u ka thënë studentëve se në buxhetin e këtij vitit vëmendje e veçantë i është dhënë katër fushave: Shëndetësisë, arsimit, bujqësisë dhe mbrojtjes.
Ai gjithashtu ka thekuar para studentëve radhitjen e Kosovës nëpër raportet ndërkombëtare.
“Gjatë bashkëbisedimit u piketuan përmirësimet e dukshme në luftimin e korrupsionit, sundimin e ligjit, lirive civile dhe zhvillimin e demokracisë në Kosovë. Kryeministri vuri në pah se të gjitha këto progrese janë të evidentuara nga raportet ndërkombëtare të Transparency International, World Justice Project, Freedom House e Reporterëve pa Kufij” – thuhet në njoftim.