Kurti për Reuters: Tensionet me serbët në veri mund të përshkallëzohen, paralajmëron për një konflikt të ri të mundshëm

Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti në një intervistë për Reuters ka folur për ndonjë sulm të mundshëm nga Serbia pasi trazirat me pakicën serbe mund të rezultojnë në konflikt të armatosur.

“Nuk duhet të përjashtojmë faktin që këto politika agresive të Beogradit mund të kthehen edhe në një sulm kundër Kosovës në një mënyrë apo tjetër” – tha Kurti për Reuters. “Ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar” – shtoi ai.

“Unë nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja” – shtoi kryeministri Kurti.

Në këtë intevistë kryeministri Kurti akuzon Rusinë për rol në nxitjen e tensioneve të reja etnike në Kosovë.

“Presidenti despotik rus Vladimir Putin është një njeri i luftës dhe do të kishte interes të përhapte luftën sepse dëshiron të normalizojë atë” – theksoi Kurti, duke aluduar  në agresionin rus kundër Ukrainës.

“Ne kemi institucionet dhe organet tona të sigurisë dhe mbrojtjes, Kosova është shtet tani, ky nuk është viti 1998” – tha Kurti.

“Është viti 2022, kështu që ne jemi shumë më të përgatitur për të mbrojtur sovranitetin tonë, integritetin territorial, për të mbrojtur demokracinë, sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe për të mbrojtur progresin tonë”, theksoi kryeministri i Kosovës.