Kurti për fjalimin e Edi Ramës në KE: Nuk mund të flasësh për luftën në Kosovë pa e adresuar krimin e Serbisë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në një konferencë të përbashkët me ambasadorin e BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, lidhur me Raportin e Progresit, është pyetur për fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Këshillin e Evropës që kërkoi rrëzim të akuzave të Dick Martyt për trafikim të organeve.

Kurti tha se nuk e ka dëgjuar ende për shkak të agjendës që ka pasur gjatë ditës.

Ai shtoi se kushdo që flet në arenën ndërkombëtare për luftën në Kosovë, duhet të adresojë krimet e kryera nga forcat serbe ndaj shqiptarëve.

“Kushdo që flet në arenën ndërkombëtare do duhej ta trajtojë temën e krimeve nga forcat serbe sepse në Kosovë ka ndodhur gjenocidi për të cilin ka intervenuar NATO. Nuk mund të flasësh për luftën në Kosovë dhe ta mbrosh Kosovën pa e adresuar krimin e Serbisë në Kosovë”- ka thënë Kurti.

Sa i përket Gjykatës Speciale, Kurti potencoi se nuk ka ndryshuar mendim nga ai në vitin 2015.

“Sa i përket Gjykatës Speciale, brengën, shqetësimim e kundërshtimin tim unë e kam thënë qysh në vitin 2015 kur u përgatitën amendamentimet kushtetuese. Nuk kam qëndrim të ri për këtë temë”- shtoi ai.

Sipas tij, Dhomat e Specializuara nuk janë karakterizuar nga transparenca.

Rama për raportin e Dick Martyt: Rrëzoni akuzat kundër Kosovës