Kurti në zbulimin e katër busteve në Prekaz: Brezat e luftëtarëve tanë kanë bartur pishtarin e lirisë nga njëri te tjetri

Më rastin e 40-vjetorit të vrasjes nga forcat serbe të sigurisë të Tahir Mehës dhe Nebih Mehës, u zbuluan sot në Prekaz bustet e tyre dhe të dy luftëtarëve të tjerë, Emin Lati dhe Beqir Meha.

Kryeministri Albin Kurti tha para familjarëve dhe të pranishmëve të tjerë se 40 vjet më parë, përveç që ishte koha e demonstratave dhe e grevave, e burgjeve politike dhe e veprimtarëve ilegalë, ishte edhe koha e rezistencës së armatosur, e qëndresës për liri deri në vdekje – ishte koha e Tahir e Nebih Mehës.

“Para katër dekadave, një shtet e rrethoi një shtëpi. Tahir Mehën me familje i rrethoi një shtet federativ i përbërë nga gjashtë republika e dy krahina. Tahirin njëmend e vranë, por edhe nga Tahiri u vranë. Tahiri sot rron, na ka bërë neve bashkë këtu. Ata që e vranë Tahirin nuk rrojnë më as këtu, as gjëkundi tjetër. Janë harruar, edhe nëse janë përkujtuar ndonjëherë nga ndokush, kurse tash na kujtohen vetëm atëherë kur e kujtojmë dhe e përkujtojmë Tahirin tonë”, tha ai.

“Prekazi nuk mund të mos e lindte Tahirin, e as Tahiri nuk mund të mos ishte nga Prekazi. Nga Ahmet Delia te Azem Bejta dhe Emin Lati, nga Shaban Polluzha e Hashim Lushtaku deri te Nebih e Tahir e Beqir Meha, përgjatë gjithë shekullit XX, Prekazi ishte përplot me luftëtarë trima e kryengritës të paepur. Andaj, disi natyrshëm edhe kulmimi i lëvizjes shqiptare në Kosovë për çlirim e bashkim, ndodh sërish në Prekaz, ngjan pikërisht në Prekaz, me Epopenë e UÇK-së, me flijimin e Jasharajve.  Prekazi ka qenë vendtakim i veprimtarëve që organizoheshin për mbarë kombin shqiptar – prej Hasan Prishtinës e Zejnullah Begut, që me 10 maj 1912 ishin në Kullën e Ahmet Delisë duke e përgatitur Kuvendin e Junikut, e deri te gjithë ata dëshmorë që para se të binin heroikisht në përballjen me forcat armike serbe vinin në Kullën e Bacës Shaban për të kuvenduar me Hamzën dhe Ademin”, ka deklaruar Kurti.

Tahir e Nebih Meha u vranë në Prekaz, më 13 maj 1981, pas një përleshje të armatosur me forcat policore jugosllave.