Kurti në takim me senatorin Menendez, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar takim me senatorin amerikan, Bob Menendez, njëherit Kryetar i Komisionit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhëniet me Jashtë.

Në këtë takim sipas një komunikate të lëshuar për media nga zyra e kryeministrit thuhet se temat kryesore të këtij takimi ishin përkushtimi afatgjatë për siguri dhe paqe i Republikës së Kosovës, si dhe rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si partner i pazëvendësueshëm i Republikës së Kosovës. Në veçanti për ndihmën me trajnime e pajisje për ndërtimin dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Duke i falënderuar për këtë bashkëpunim që vazhdon ende, kryeministri theksoi se Kosova e mirëpret përkrahjen e mëtejme”, thuhet në komunikatë.

Në takim sipas kësaj komunikate u bisedua për objektivat e përbashkëta, për ta bërë Forcën e Sigurisë së Kosovës forcë moderne, që është e gatshme për mbrojtjen e vendit dhe kontributdhënëse për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global.

“Kryeministri Kurti theksoi solidarizimin e Republikës së Kosovës me popullin e Ukrainës, duke u rreshtuar përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Ai e njoftoi për ofrimin e strehimit dhe kushteve për punë për 20 gazetarë të Ukrainës dhe mundësinë që të strehojmë deri në 5.000 refugjatë”, thuhet tutje.

Në njoftim thuhet se u diskutua edhe për progresin demokratik e socio-ekonomik në një vit të qeverisjes dhe punën e angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të fuqizuar sundimin e ligjit, për luftimin e kontrabandës, krimit dhe të korrupsionit.