Kurti: Na duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm ne politikanët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Shqipëria dhe Kosova duhet të jenë më shpesh bashkë, jo vetëm në kremte e jo vetëm politikanët.

Duke folur në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve, Kurti tha se duhet të gëzohemi sa më shumë kur Kosova dhe Shqipëria përfshihet në çështjet publike të njëri-tjetrit.

“Duhet të gëzohemi sa më shumë kur përfshihemi në cështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar, por të kontribuar. Hapësira jonë publike politika, kultura e ekonomia nuk janë cifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta – kalaja ku e vëjmë të gjithë nga një gurë” – tha Kurti para deputetëve.

Tutje, ai tha se nesër festohet 110 vjetori i Pavarësisë, por sot festohet 25 vjetori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Neser do të shënojmë 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, e sot shënojmë 25 vjetorin e shpalljes publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llaushë, ku në varrimin e mësuesit Halit Geci të vrarë nga forcat serbe, Rexhep Selimi që po lexonte deklaratën në dy krahët e tij kishte heroin Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinajn. Ne bëjmë tani edhe në të ardhmen, por nderojmë edhe të kaluaren që na përbën sot dhe ecim bashkë” – tha ndër të tjera Kurti.

“Në Kosovë i gëzohemi cdo suksesi të Shqipërisë. Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj përpara, është anëtare NATO-s ka statusin e kandidatit për BE. E njejtë mendoj që edhe në Shqipëri, gëzohen për sukseset e Kosovës”.

Për herë të parë në histori, Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë po mbajnë mbledhje të përbashkët, për të shënuar 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.