Kurti mirëpret miratimin e projektligjit për pagën minimale: Përfitojnë mbi 100 mijë punëtorë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur miratimin në lexim të parë të projektligjit për pagën minimale i cili kaloi me shumicë votash në Kuvend.

“Lajm i mirë për qytetarët që sot Kuvendi i Republikës miratoi në lexim të parë ligjin për rritjen e pagës minimale në 264 euro dhe lirimin nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka thënë se mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat përfitojnë rritje mbi 50% të pagës së tyre mujore, duke shtuar paga minimale është rritur më shumë se më parë.

“Mbi 100 mijë punëtorë të sektorit privat përfitojnë rritje mbi 100%, respektivisht mbi 50% të pagës së tyre mujore, ndërkaq plot 380 mijë punëtorë të sektorit privat dhe publik përfitojnë prej lirimit nga tatimi i të ardhurave deri në shumën e pagës minimale. Përveç se po e rrisim pagën minimale për herë të parë pas 11 vitesh, po e rrisim atë më shumë se çdoherë tjetër më parë. Ndërkaq pragun e shkallës tatimore po e zhvendosim nga 80 euro në 250 euro”, ka thënë kryeministri Kurti.

Me 68 vota pro, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë.

Më 6 qershor, para Kuvendit të Kosovës kanë protestuar Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Veteranët kanë protestuar për të kundërshtuar mos përfshirjen e tyre në projektligjin për pagat.

Ndërkaq,Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sot ka bërë të ditur se ditën e enjte, më 16 qershor do të mbajnë protestë gjithëpopullore para objektit të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Kjo protestë është paralajmëruar pas votimit në parim të projektligjit për pagën minimale.

Faton Klinaku, ushtrues i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, përmes një postimin në Facebook ka thënë se deputetët sot më votimin e projektligjit përjashtuan veteranët e UÇK-së nga paga minimale.