Kurti: Datën e formimit të Qeverisë nuk ma përcakton presidenti, por LDK-ja

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se partia e tij do të intensifikojë takimet e konsultat me LDK-në për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Ai tha se do të takohen me LDK-së sa më shpejtë që është e mundur.

I pyetur pse nuk i është përgjigjur ftesave të presidentit Hashim Thaçi për të diskutuar për formimin e Qeverisë, Kurti tha se presidenti përcakton datën e konstituimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë.

“Formimin e Qeverisë e përcakton tjetërkush, e jo presidenti. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha Kurti.

Ai premtoi se takimet LVV-LDK do të ndodhin.

“Do të ketë konsultime. Unë do ta marr mandatin. Ndërkohë, po e intensifikojmë komunikimin për bashkëpunim e marrëveshje me LDK-në”, shtoi ai.

Lidhur me kërkesat e LDK-së për koalicion me LVV-në, Kurti tha që këto çështje i bëjnë të ditura në kuadër të takimeve që I bëjnë.

“Ne kemi qëndrimin tonë, ata kanë qëndrimin e tyre. Duhet të takohemi, të bisedojmë sepse edhe ne e duam marrëveshjen edhe popullit i duhet marrëveshja”, tha Albin Kurti.

Ai tha se do të takohen me LDK-në sa më shpejt që është e mundur.