Albin Kurti dhe Edi Rama, Foto: Qeveria e Kosovës

Kurti: Hekurudha Durrës-Prishtinë, projekti më i madh dhe më i rëndësishëm

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë sot në Prishtinë lidhën 19 marrëveshje në disa fusha.

Kryeministri kosovar, Albin Kurti tha se projekti i hekurudhës, Durrës-Prishtinë, është ndër projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme.

“Projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë është ndër projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme. Kjo hekurudhë do të lidh Kosovën me korridoret që kalojnë pranë nesh, po që nuk janë të lidhura me ne. Do t’i bashkoj edhe më fort ekonomitë tona dhe do të rris lëvizshmërinë mes republikave tona”, tha Kurti para gazetarëve gjatë konferencës për media me homologun, Edi Rama.

“Ne me marrëveshjet ruajmë dhe avancojmë marrëdhëniet tona. Sot festohet dita e refugjateve nuk mund te mos falënderojmë motrat dhe vëllezërit tonë shqiptarë për strehimi që na ofruan gjatë luftës. Kosova dhe Shqipëria kanë një trend shumë te mirë të shkëmbimit tregtar, sot si asnjëherë më parë eksportojmë dhe importojmë ndërmjetvete”, tha tutje shefi i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti.