Kurti fton kompaninë e prodhimit të automjeteve KIA të investojë në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim dje, zëvendëspresidentin e kompanisë së mirënjohur të prodhimit të automjeteve “KIA Europe” Jun Young Choi.

Sipas një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka njoftuar Jun për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës në fuqizimin e zhvillimit ekonomik, potencialin e Kosovës për investime si dhe për klimën e favorshme në Kosovë për kompanitë ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti ka thënë se kompanitë si KIA janë të mirëseardhura për të investuar në Kosovë.

“Poashtu, Kryeministri Kurti e njoftoi z. Jun për progresin e Kosovës në të gjithë fushat, mjedisin e përshtatshëm për biznes, progresin demokratik dhe ekonomik, sundimin e ligjit dhe për politikat e qëndrueshme ekonomike të cilat janë përparësi për investitorët e huaj”- thuhet në komunikatë.

Në njoftim theksohet se kryeministri ka thënë se gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes, Kosova ka bërë rritje të theksuar ekonomike, rritje të të hyrave, eksporteve dhe investimet e huaja direkte.

“Gjatë takimit, kryeministri tha se Kosova nga organizatat dhe institucionet e rëndësishme ndërkombëtare është vlerësuar dhe ka shënuar progres në parametrat e sundimit të ligjit dhe të zhvillimit demokratik”- bëhet e ditur në komunikatë.

Kurti ka ftuar drejtuesit e kësaj kompanie që të shqyrtojnë mundësitë që vendi ynë ofron për qëllimet dhe planet e kompanisë.