Kurti emëron zv.ministër anëtarin e Romani Iniciativa, të cilës PZAP ia anuloi mbi 800 vota

Kryeministri Albin Kurti ka emëruar Gazmend Salikeviqin nga Romani Iniciativa, zëvendësministër në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.

Këtë e ka konfirmuar vetë Romani Iniciativa përmes një njoftimi.

“Të dashur miq, do të doja t’iu informoj se sot jam emëruar nga Kryeministri Albin Kurti si Zëvendës Ministër për Komunitete dhe Kthim. Do të doja falënderoj të gjithë për mbështetjen e tyre dhe t’iu ftoj të punoni së bashku për të përmirësuar pozicionin e të gjitha komuniteteve në Kosovë. Faleminderit nga zemra Gazmen Salijevic”, shkruhet në njoftimin e kësaj Iniciative.

Romani Inciativa është e përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës me një deputet.

Kjo parti ishte akuzuar se ka bashkëpunuar me Listën Serbe për të marrë vota në zonat ku jetojnë kryesisht serbë.

Madje, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ia kishte anuluar mbi 800 vota këtij subjekti politik.

Të gjitha këto vota ishin anuluar në komunat me shumicë serbe në Kosovë.

PZAP i kishte anuluar votat e Romani Iniciativa në komunat e Parteshit, Kllokotit, Ranillugut e Novobërdës.

Diskutimit disajavor në Kosovë që ndodhi për votat e minoriteteve, iu kishte bashkangjitur edhe Kurti.

Në një intervistë për RTV Besa, më 28 shkurt, Kurti kishte thënë se në këtë rast ka keqpërdorim dhe i cili është i dirigjiuar nga Beogradi.

“Si ish-kryeministër, e kryeministër i ardhshëm, shpreh pakënaqësinë time të thellë me këtë manipulim e keqpërdorim, origjina e të cilit nuk është fare në Kosovë por në Beograd”, kishte thënë Kurti për RTV Besa.

“Natyrisht, jemi të gjithë të indinjuar dhe duhet të bëjmë gjithçka që kjo kurrë më të mos përsëritet. Ndërsa tash duhet përdorur mjetet legale e juridike, në mënyrë që ku deformim i vullnetit të qytetarëve të mos reflektohet në përfaqësim të deformuar në Kuvend”, ishte shprehur Kurti në po të njëjtën intervistë.

Se ka ndërhyrje nga Beogradi në votat e komuniteteve e kishte thënë edhe kandidatja për presidente nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje, Vjosa Osmani.

Ajo në një intervistë dhënë për KALLXO.com, kishte deklaruar se ka qenë Aleksandar Vuçiq që ka ndërhyrë në procesin e zgjedhjeve më 14 shkurt.

“Për fat të keq, ndërhyrja nuk mund të reduktohet këtu në ndërhyrje të Listës Serbe, kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë e Vuçiqit, pra është ndërhyrje e një shteti, pra shtetit serb në një proces elektoral të një shteti tjetër, në këtë rast të Republikës së Kosovës, gjë që ndalohet edhe me drejtën ndërkombëtare”, kishte thënë Osmani në emisioni “Kallxo Pernime”

Tash e disa ditë, Zyra e Kryeministrit dërgon njoftim për media për të gjitha emërimet e zëvendësministrave që kryeministri Albin Kurti është duke i bërë, mirëpo në rastin konkret, për emërimin e Salijeviqit, Zyra e Kryeministrit nuk ka dërguar fare njoftim për media.