Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kurti: Do të përgatitemi që kur ta vendosim të mos na dështojë reciprociteti

Ndonëse kishte premtuar se nuk do të kalojnë muaj derisa qeveria e tij t’i vendos masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, kanë kaluar më shumë se 4 muaj prej marrjes së detyrës, por ende nuk ka reciprocitet ndaj Serbisë.

Në lidhje me këtë premtim, Kurti është sfiduar sot në Kuvendin e Kosovës nga deputeti i PDK-së, Fadil Nura.

Kurti tha se Qeveria e Kosovës nuk e ka reciprocitetin për të shtuar barriera por për t’i hequr ato ekzistueset.

“Ne do ta vendosim reciprocitetin, nuk heqim dorë prej tij, reciprociteti tregtar është veç një element i reciprocitetit të plotë politik, ekonomik dhe tregtar dhe këtë do të bëjmë kur të jemi të përgatitur, shpejtë”, tha Kurti

Kurti i ka reaguar deputetit të PDK-së, Fadil Nura duke thënë se ata kanë interes që të dështoj reciprociteti.

“Ju vini prej një pozicioni politik që ka qenë kundër reciprocitetit, ju keni interes të dështojë reciprociteti, prandaj ju dëshironi të vendoset pa u përgatitur. Ne do të përgatitemi, do ta vendosim reciprocitetin dhe nuk do të dështoj”, tha në mes tjerash kryeministri Kurti.

Rrena e Albin Kurtit, nuk e vendosi reciprocitetin me Serbinë siç kishte premtuar