array(1) {
  [0]=>
  array(4) {
    ["archive_color"]=>
    string(7) "#B9D156"
    ["menu_attr"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["main_title"]=>
    string(11) "Krypometër"
    ["custom_item"]=>
    string(8) "?level=4"
  }
}

Rrena e Albin Kurtit, nuk e vendosi reciprocitetin me Serbinë siç kishte premtuar

Deklarata

“(Reciprociteti) Është çështje ditësh ose javësh, kurrsesi muajsh. Nuk e di se cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë”

Albin Kurti, 12 shkurt 2021

Vlerësimi

Rrenë

Albin Kurti nuk e ka mbajtur premtimin, duke mos vendosur reciprocitetin brenda javësh siç kishte premtuar. Albin Kurti ishte votuar kryeministër më 22 mars 2021. Kanë kaluar 3 muaj e 27 ditë që nga votimi i tij dhe Qeveria e Kosovës nuk ka marrë vendim për të vendosur masat e reciprocitetit ndaj Serbisë. Premtimet e radhës të dhëna nga Hajdari, Krypometri do të vazhdojë t’i përcjellë nëse do të zbatohen.

Artikulli

Më 22 mars të këtij viti, Albin Kurti u votua për kryeministër të Republikës për herë të dytë në karrierën e tij politike.

Ai ishte zgjedhur kryeministër për herë të parë në shkurt të vitit të 2020, mirëpo 50 ditë më vonë ishte shkarkuar në Kuvendin e Kosovës me votat e partnerit të tij të koalicionit – LDK.

Një nga arsyet e prishjes së koalicionit me LDK-në kishte qenë vendosmëria e Kurtit që ta heq tarifën prej 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës dhe ta zëvendësonte atë me masat e reciprocitetit.

Kurti, në kundërshtim me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, më 31 mars 2020 kishte vendosur masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Masa e reciprocitetit u largua pak ditë pasi që në krye të Qeverisë ishte ardhur Avdullah Hoti.

Gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit, Albin Kurti ishte zotuar që do t’i kthente masat e reciprocitetit. Madje ishte zotuar se kjo do të ishte një nga vendimet e para të qeverisë së tij.

“Është çështje ditësh ose javësh, kurrsesi muajsh. Nuk e di se cila do të jetë sekuenca, por është ndër gjërat e para që do të bëjmë”, kishte thënë Kurti më 12 shkurt 2021, veç dy ditë para zgjedhjeve në RTV Dukagjini kur ishte pyetur për reciprocitetin.

Tani kanë kaluar 3 muaj e 27 ditë, mirëpo asnjë vendim nga ana e Qeverisë nuk është marrë për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu kishte deklaruar para disa javësh, se opinioni do të njoftohet me kohë kur Qeveria do ta ketë në rend të ditës vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Në anën tjetër, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se ekzekutivi kosovar po përgatitet për masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe se ata nuk janë tërhequr nga premtimi.

“Reciprociteti që është premtuar nga qeveria, ne nuk largohemi nga premtimi për reciprocitetin dhe si masë e parë është ligji për tregtinë me jashtë. Ligji për tregtinë me jashtë është pikërisht ligji cili mbron prodhuesit tanë vendorë dhe është konform parimeve të Organizatës Botërore të Tregtisë. Ligji është aprovuar në qeveri dhe tani do të aprovohet në Komisionin Parlamentar, do të shqyrtohet pikërisht me datën 14”, ka thënë Hajdari.

Ajo ka thënë se ligji i mbron prodhuesit, ndërsa ka qenë kërkesë e saj drejtuar kryeministri Kurti, që të përgatiten para vendosjes së masave të reciprocitetit.

“Unë i kam kërkuar kryeministrit, ‘të lutem kryeministër ta bëjmë mirë (reciprocitetin)’ dhe kryeministri nuk largohet dhe as Rozeta Hajdari nuk largohet nga masa e reciprocitetit”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka thënë se këtë kërkesë e ka bërë për t’i dhënë kohë Doganës të përgatitet dhe të bëjë identifikimin e barrierave.

“Kam kërkuar nga kryeministri që të shqyrtojmë barrierat që kemi me Serbinë. Nuk duhet të marrim vendim aty për aty dhe pastaj të kemi probleme në zbatim. Ne e kemi vërejtur që reciprociteti nuk është zbatuar si duhet”, ka thënë ajo.

Ministrja Hajdari ka thënë se vendimi për reciprocitetin do të jetë vendim i Qeverisë Kurti dhe jo i një ministri.

“Ne, përpos që i kemi tash masat e planifikuara për reciprocitetin për Serbinë të cilat jemi duke u përgatitur si Qeveri dhe këto masa merren në koordinim të plotë me kabinetin e Qeverisë, pra jo vetëm me një ministër. Ne kur i marrim masat, do t’i marrim pa kthim pas. Ne jemi duke u përgatitur për marrjen e masave të reciprocitetit”, tha ajo në KallxoPernime ditë më parë.

“Ky vendim është që nuk vendoset vetëm nga unë si ministre. Ne do të diskutojmë në qeverinë Kurti dhe aty do të vendosim për datën, unë nuk jap datë publikisht sepse nuk varet vetëm nga ministri i linjës, varet nga ‘Qeveria e Albin Kurti’ dhe kjo qeveri nuk është vetëm nga një ministër, por edhe të tjerë”.