
Kurti bën homazhe në Krushë të Madhe: Përkujtojmë një nga Masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb
Në nderim dhe përkujtim të të vrarëve në Masakrën e Krushës së Madhe, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, më 26.03.2025, ka bërë homazhe pranë varreve të 22 dëshmorëve dhe 155 martirëve, të cilët 26 vjet më parë u vranë pamëshirshëm nga forcat serbe.
Kurti u shpreh se ky vend që mban emrin dhe dhembjen e madhe është dëshmi e krimeve të Serbisë gjenocidale.
Nga Krusha e Madhe, ai i bëri thirrje Sistemit të Drejtësisë në Kosovë, që të trajtojë krimet e luftës me urgjencë dhe përgjegjësi morale e historike, e kombëtare, përveçse profesionale.
“Bashkë me familjarë, të mbijetuar e dëshmitarë të Masakrës së Krushës së Madhe, përkujtojmë sot një nga masakrat më mizore të kryera nga aparati shtetëror serb. Ndërmjet 25 dhe 27 marsit 1999, forcat serbe këtu vranë pamëshirshëm 155 civil shqiptarë. Në mesin e tyre ishin edhe shtatë fëmijë e pesë gra. Njëra nga to ishte shtatzënë. Forcat e Serbisë zhdukën me dhunë 64 krushjanë, mes tyre edhe intelektualin e jashtëzakonshëm e veprimtarin e paepur Ukshin Hotin. Mbi 700 shtëpi u dogjën, bashkë me institucione fetare e kulturore.” – tha Kurti.
Në njoftim thuhet se ai gjithashtu ftoi qytetarët që të kontribuojnë sa më shumë në mbledhjen e dëshmive dhe dokumentimin e krimeve, sidomos tash që është funksionalizuar Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë.
Kurti ka përmendur dhe dy Krematoriumet e Krushës së Madhe. Në Krematoriumin e parë, gjurmët e të cilit janë ende të dukshme, forcat serbe dogjën 19 civil të pafajshëm shqiptarë. Në Krematoriumin e dytë, në shtëpinë e familjes së Nezir Durakut u dogjën mizorisht mbi 40 civil të tjerë.
Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e Aktakuzës për “krime lufte” kundër kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit. Përkundër kësaj, Drejtësia nuk ka vepruar ende dhe kryersit nuk janë dënuar.
Kurti ka theksuar tutje se është evidente që policët dhe ushtarët e Serbisë kanë pasur urrejtje të madhe dhe plan të qartë për të kryer krimet, ku brenga e tyre më e madhe ka qenë zhdukja e kufomave, pra zhdukja e gjurmëve të krimit.
“Zhdukjet me dhunë, rrëmbimet, djegiet dhe hedhja e kufomave në lum, e forma të tjera ҫnjerëzore të dëmtimit e zhdukjes së kufomave janë dëshmi të qarta të këtij projekti gjenocidal.” – shtoi ai.
Në përmbyllje të fjalës së tij në këtë tubim përkujtimor, duke përkujtuar të vrarët ai theksoi se përkulemi me shumë mall e pikëllim, po edhe me shumë krenari e admirim dhe se Republika e Kosovës angazhohet për paqe dhe barazi mes kombeve në Ballkan.