Foto: KALLXO.com

Kundërshohet aktakuza në rastin e kontrabandimit të 80 mijë kilogramëve duhan

Mbrojtësit e 13 të pandehurve të përfshirë në kontrabandimin e 80 mijë kilogramëve duhan kanë paraqitur kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Në rastin e kontrabandës me duhan, të akuzuar janë nëntë zyrtarë doganorë, të cilët ngarkohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje ryshfeti. Pos tyre, të përfshirë në këtë çështje janë edhe katër të pandehur të tjerë të cilët akuzohen për veprat penale, kontrabandim i mallrave, shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe tregti të ndaluar.

Gjatë kësaj seance,  mbrojtësit e të pandehurve theksuan se mbeten në tërësi pranë kundërshtimeve të paraqitura me shkrim më 20 janar 2022.

Ndërkaq, Florim Shefqeti, mbrojtës i të akuzuarit Valdet Syla, deklaroi se plotësimi i aktakuzës ka rënë ndesh me afatet kohore, ndërkaq në aspektin përmbajtjesor aktakuza sipas avokatit ka edhe të meta të tjera.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e prokurorisë, Ervehe Gashi, gjykatëses dhe mbrojtësve, në formë të shkruar ia paraqiti përgjigjen për kundërshtimin e aktakuzës dhe të provave.

Lidhur me propozimet e mbrojtësve, kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, do të marrë vendim të shkruar.

Hetimet për kontrabandim me cigare kanë filluar që nga viti 2018 dhe si të dyshimtë kanë qenë 47 persona, prej të cilëve 9 zyrtarë të Doganës së Kosovës.

Prokuroria e Prizrenit me 17 maj 2021 ka ngritur aktakuzë ndaj nëntë zyrtarëve doganorë nën pretendimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.

Ilir Bobi, Dritëro Zeka, Dritan Hasimja, Miljan Vidosavljeviç, Hekuran Dana, Jeton Berisha, Besart Malaj, Artan Oseku dhe Driton Kurshumlija, akuzohen se nga viti 2018 – 2019 në pikë-kalimin kufitar në Vërmicë, në bashkëkryerje, si zyrtarë doganor për 64 herë ua kanë siguruar të pandehurve Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha, kalim të automjeteve të ngarkuar me duhan të grirë -refuz – në sasi të përgjithshme prej 80 mijë kilogramë, 1.3 milion filtra për cigare “Grande”, 400 mijë filtra për cigare “Gentleman”, letër duhani, filtra për cigare, cigare pa banderolë të markës “Marlboro” dhe “West”, të gjitha nga Shqipëria në Kosovë.

Sipas Prokurorisë, me anë të këtyre veprimeve të pandehurit e lartcekur ngarkohen se i kanë shkaktuar rreth 3 milionë euro dëm material buxhetit të Kosovës në vlerën e taksës së akcizës, taksës së Doganës dhe TVSh-së së papaguar.

Organi i akuzës po ashtu thotë se Driton Kurshumlija dhe Driton Hasimja gjatë muajit shkurt – mars 2019, në cilësi të personave zyrtarë, në pikën kufitare në Vërmicë-Prizren, kërkojnë përfitime për vete për të vepruar në pajtim me detyrat e tyre.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kurshumlija më 7 shkurt 2019 kërkoi nga i dëmtuari Sefedin Jasiqi shumën prej 100 eurove për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se zhdoganimi më lirë është nëse i dëmtuari i paguan 100 euro. Kurse më 31 mars 2019, nga i dëmtuari Mentor Rexhepi kërkoi shumën prej 70 eurove për kryerjen e zhdoganimit të mallit duke i thënë se aq kishte kushtuar zhdoganimi.

Ndërsa i akuzuari Hasimja me 3 shkurt 2019, kërkoi para nga i dëmtuari Sali Kalludra për kryerjen e zhdoganimit, duke ditur se mallrat që importon KFOR-i, janë të liruara nga dogana. Ndërsa me 8 shkurt 2019, i pandehuri mori shumën prej 100 euro nga i dëmtuari Selim Morina për të zhdoganuar vetëm një pjesë të mallit.

Me këto veprime sipas prokurorisë të akuzuarit, Driton Kurshumlija dhe Driton Hasimja, kanë kryer veprën penale marrje e ryshfetit.

Kurse, Valdet Syla, Vullnet Syla, Mevlan Arifaj dhe Lulzim Rexha po akuzohen se nga viti 2018-2019, në pikë-kalimin kufitar të Vërmicës, në bashkëkryerje, nga Shqipëria për në Kosovë, pa leje përkatëse shmangën kontrollin doganor dhe kaluan vijën kufitare duke bartur mallrat e lartcekura pa leje të posaçme nga organi kompetent.

Me anë të këtyre veprimeve katër të pandehurit akuzohen se kanë kryer veprat penale, kontrabandimi i mallrave, shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore dhe tregtia e ndaluar duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës në vlerë prej rreth 3 milion euro.