Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kryetari i ri KQZ-së shpreh gatishmërinë për të kontribuar në ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet Lokale

Kryetari i ri i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi u paraqit për herë të parë për raportim para deputeteve të Kuvendit të Kosovës.

Radoniqi në komisionin për legjislacion raportoi për punën e KQZ-së në kohën kur ky institucion po udhëhiqej nga Valdete Daka.

Raporti të cilin Radoniqi e prezantoj para komisionit nuk u rekomandua për aprovim në Kuvendin e Kosovës.

Radoniqi përpara deputeteve deklaroj se KQZ ka bërë punë të mirë gjatë 2020-tës edhe pse është përballur me sfida të mëdha gjatë pandemisë.

“Për shkak të pandemisë ka qenë një vit i vështirë edhe për organizimin e zgjedhjeve, gjatë gjithë vitit KQZ-ja është përballë me sfida. Ndikimi i pandemisë ka qenë sfidues në realizimin e aktivisteve pasi KQZ ka funksionuar me staf esencial”, tha Radoniqi.

Sipas kryetarit të ri të KQZ-së, përkundër sfidave është punuar shumë mirë gjatë vitit 2020.

“Punët që janë kryer janë kryer shumë mirë, ka pas publikim të analizave, hartim të listave të votuesve, bashkëpunim shumë i mirë me institucionet e tjera edhe pse kemi pasur shumë sfida”, tha Radoniqi para deputetëve.

I pari i KQZ-së theksoj se sfida kryesore e KQZ-së mbetet ndryshimi i ligjit për zgjedhjet lokale.

“Sfidat në KQZ janë të ndryshme, për KQZ mbetet sfidë mos ndryshimi i ligjit për zgjedhjet lokale, andaj shprehim gatishmërinë për të kontribuar”, tha Radoniqi.

Pas raportimit të Radonicit, deputetja e PDK-së Blerta Deliu e vlerësoj punën e KQZ-së dhe e konsideroj si një nga institucionet më kredibile në vend.

“E kam lexuar dhe e vlerësoj punën që e ka bërë KQZ, ky institucion është vlerësuar mirë nga mekanizma ndërkombëtar dhe jeni vlerësuar si institucioni me kredibil në vend”, tha Deliu.

Sikurse Deliu fjalë të mira për punën e KQZ-së pati edhe deputeti Hajdar Beqa, sipas tij me një raport të tillë nuk do duhej të shkarkohej ish-kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka.

“KQZ është njëri nga institucionet më kridibile edhe përkundër sfidave që i ka KQZ si dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera. Kosova ka nevojë për reformë të thellë zgjedhore por jo me e bo natën atë ligj. E lexoj një raport që është bo një punë e mirë, nëse ne e kemi një raport të mirë e knej e shkarkojmë kryesuesen se di çka po duam të bëjmë”, tha Beqa.

E më i zëshmi në këtë mbledhje ishte kryetari i komisionit për legjislacion, Adnan Rrustemi.

Ai tha se KQZ-ja nuk i ka adresuar mangësitë e zgjedhjeve të vitit 2019, duke përfshirë listat e votuesve, adresat dhe numrin e madh të votuesve në qendra të votimit.

“Nga leximi i raportit nuk reflekton që KQZ-ja gjatë vitit 2020 i ka adresuar mangësitë organizative të 2019. Vazhdojmë të kemi probleme me listat e votuesve në Kosovë, na jemi i vetmi  vend në Evrope ku votuesit nuk sistemohen në qendra të votimit mbi bazën e adresave por një gjë e tillë bëhet paushall  mbi bazën e të dhënave nga “Unimku” dhe sot nuk ka sistem unik të adresave”, tha Rrustemi.

Ai tha se KQZ-ja ka pasur ngecje edhe sa i përket lehtësimit të votimit nga jashtë, pasi shumë votuesve ju ka pamundësuar e drejta për të votuar duke pasur parasysh se KQZ-ja ua ka humbur dokumentet.

Pas deklarimit të deputeteve, komisioni për legjislacion vendosi që të mos e aprovojë raportin e punës së KQZ-së, për vitin 2020.