Gjykata e Ferizajt - Foto: GjThF

Kryetari i Gjykatës së Ferizajt kërkon nisjen e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit që kishte komentuar në një lajm të KALLXO.com

Rasti i gjyqtarit të Gjykatës së Ferizajt, Bahri Salihu, i cili kishte komentuar në një lajm të KALLXO.com, në lidhje me një burrë që nuk e ksihte lënë gruan e tij të futet në shtëpi pasi kishte dalë për iftar me kolegët e punës, është referuar për trajtim në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, kryetari i Gjykatës së Ferizajt, Mustafë Tahiri.

“Në momentin që nuk e kam refuzu kërkesën, do të thotë që sipas detyarve zyrtare atëherë i bjen që e kom çu kërkesën, dhe kërkesa është në Këshillin Gjyqësor të Kosovës”-  ka thënë për KALLXO.com, Mustafë Tahiri më 06.06.2024.

Gjyqtari i përfshirë në këtë rast, Bahri Salihu nuk pranoi të jap koment lidhur me pyetjen nëse kishte qenë profili i tij që kishte lënë komentin në lajmin e KALLXO.com.

KALLXO.com është interesuar të marrë një prononcim nga Salihu lidhur me kërkesën e kryetarit të Gjykatës së Ferizajit për inicim të procedurës disiplinore ndaj të njëjtit.

“Po, po e ka referu rastin, e kanë filluar ata procedurën edhe u kry kjo punë, s’kam nevojë unë ty me të dhonë kurgjo ma shumë”- tha Salihu për KALLXO.com.

Sipas Ligjit për inicimin e procedurave disiplinore për gjyqtarë dhe prokurorë, autoriteti kompetent, që në këtë rast është kryetari i Gjykatës së Ferizajt, nëse vlerëson së janë përmbushur elementet për inicimin e procedurës disiplinore i dërgon kërkesë me shkrim Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Në këtë rast, krytari i Gjykatës së Ferizajt e ka konsideruar se ka bazë të mjaftueshme që veprimet e gjyqtarit, Bahri Saliu, të trajtohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Për ta hetuar rastin KGJK duhet ta formojë një panel hetimor nga tre gjyqtarë të një gjykate tjetër, në afat prej jo më larg se 15 ditë prej kur është pranuar kërkesa për inicimin e procedurës disiplinore.

Ky panel mbledh prova dhe u jep mundësinë palëve që të përgjigjen në pretendimet e ngritura. Këto hetime të panelit mund të zgjasin deri në pesë muaj.

Një lajm në KALLXO.com më 31.03.2024 ishte publikuar ku shpërfaqte një veprim të një burri, i cili nuk e kishte lënë bashkëshorten e tij të futet në shtëpi pasi ajo kishte dalë për iftar me kolegët e saj.

Detaje më shumë lidhur me lajmin mund t’i gjeni duke klikuar KËTU.

Në këtë lajm të publikuar në Facebook të KALLXO.com, një koment e kishte bërë edhe gjyqtari për kundërvajtje i Gjykatës së Ferizajt, Bahri Salihu.

Salihu në komentin që kishte bërë në Facebook thotë që nuk miraton shëtitjet e grave në iftare, duke shtuar që gruaja nuk duhet ta ngushtojë burrin pasi që duhet t’i ketë mendët.

Salihu në biografinë e tij, e cila është publike në faqen e Gjykatës së Ferizajt, del të ketë qenë prokuror në Ferizaj nga viti 2012 deri në vitin 2013.