Kryetari Gjini flet për situatën me COVID-19 në komunën e Gjakovës

Gjatë debatit “Jeta në Komunë” i pari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka komentuar edhe situatën me pandeminë e COVID-19.

Rreth menaxhimit të situatës së pandemisë, Gjini tha se qytetarët janë sjellë si duhet duke respektuar rregullat dhe se Gjakova ka numër më pak të të infektuarve sesa komunat e tjera.

“Gjakova ka nisë testimin serologjik, e kemi kry stafin shëndetësor e arsimor bashkë me Policinë regjionale”, thotë Gjini.

Sipas të dhënave të Spitalit Regjional, para 4 ditësh thuhet se 8 pacientë janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 5 me oksigjeno-terapi dhe 3 mjekë janë të infektuar me coronavirus.

Në këtë situatë pandemike, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, në muajin gusht, është gjetur pa dezinfektues e pa sapun.

E njëjta gjendje është edhe tash në muajin tetor.

Gjatë këtij emisioni u përmend edhe ambullanta në fshatin Gërgoc, e cila është mbyllur por e njëjta  kishte mungesë të ujit.

Po ashtu, ambulantat në fshatin Lipovec dhe Babaj i Bokës KALLXO.com i kishte hasur të mbyllura në kohë pandemie.Të ftuar në studio janë edhe tre asamblistë, dy prej tyre nga opozita, Ali Tafarshiku nga Alternativa, Mimoza Shala nga Vetëvendosje dhe Shpend Kumnova nga AAK-ja, ndërsa në Zoom Ideal Zhaveli nga Këshilli Rinor i Veprimit Lokal- KVRL.