Foto: Kallxo.com

Gjakovë, ambulanta furnizohet me ujë nga bidonat (VIDEO)

Ka dy vjet që çezmat e Qendrës së Mjekësisë Familjare në fshatin Gërgoc të komunës së Gjakovës nuk sjellin ujë.

Motra kryesore në këtë qendër, Shefkije Nimani, thotë se ka dy vjet që ujin që i nevojitet për pije dhe për shërbim të pacientëve në nevojë, detyrohet që ta bartë personalisht me bidona.

Ajo thotë që deri më tani me ujë janë furnizuar nga hidrofori që ndodhet afër kësaj qendre por që tashmë edhe ai bunar është jashtë funksionit sepse është shterur.

“Komuna na i sjell lëndën djegëse (drutë), barnat që na nevojitën, por jo edhe furnizimin me ujë”, thotë Shefkije Nimani për KALLXO.com.

Nimani kërkon nga komuna e Gjakovës që ujësjellësi të lidhet sa më shpejtë të jetë e mundur, në mënyrë që puna me pacientë të kryhet siç duhet dhe atyre t’u ofrohen shërbimet e duhura dhe të pastra.

Kjo ambulantë në këtë fshat është ndërtuar menjëherë pas luftës, si dhuratë nga ECHO, me ndihmën e Caritas Secours In. Hulp nga Belgjika.

Përveç qendrës së mjekësisë familjare, edhe Zyra e Gjendjes Civile e cila ndodhet afër saj ka të njëjtin problem të ujësjellësit.

Kjo zyrë çdo të premte mban takim me qytetarët e fshatit Gërgoc.

Më pak se 50 metra larg kësaj qendre, gjendet furnizimi kryesor i ujit.

Drejtori i Shëndetësisë në komunën e Gjakovës, Ferdinand Kolaj, tha për KALLXO.com se autoritetet komunale janë në dijeni që kjo ambulantë ka probleme me ujin dhe “e kemi pasë ndërmend që ta lidhim ujin në këtë ambuantë”.

“Poashtu kemi qenë në bisedim me KRU “Gjakova” dhe të njëjtit na kanë thënë që duhet t’i paguajmë për kyçjen e ujit që e bëjnë ata, por problem ka qenë buxheti sepse nuk ka qenë i miratuar as edhe buxheti i Kosovës”, tha Kola.

Ai u shpreh se sot përmes komisionit është bërë kërkesa në KRU “Gjakova” për lidhjen e ujit.

“Andaj është çështje ditësh dhe shpresoj që do të kryhet shumë shpejt”, tha ai.

Por ai tha se ka një javë që kjo qendër nuk ofron shërbime për shkak të numrit të ulët të pacientëve që kërkojnë trajtim aty.

“Gjatë gjithë muajit mund t’i ketë 15 pacienta ose edhe më pak, andaj për këtë arsye ndoshta qe një javë ne e kemi mbyllë atë. Si pasojë e kësaj motrën e kemi dërgu në QKMF-në në fshatin Cërmjan, i cili fshat është shumë afër kësaj Ambulante, ku banorët nuk e kanë shumë larg”, tha drejtori Ferdinand Kola.

 

 

 

Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com
Foto: Kallxo.com