Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit. 22.05.2023. Foto: KALLXO.com

Kryesia e Kuvendit pa kuorum, nuk vendoset seancë e re as për këtë javë

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar të mbahet sot mbledhja e Kryesisë së Kuvendit e cila në rend të ditës kishte dhjetëra pika.

Si pasojë e mungesës së kuorumit për vendimmarrje, Kuvendi i Kosovës as këtë javë nuk do të mund të zhvillojë punimet e seancës së re plenare në të cilën ishte paraparë të shqyrtoheshin 16 pika, në mesin e tyre edhe marrëveshje ndërkombëtare.

Deputetët herën e fundit janë mbledhur në sallën e parlamentit të Kosovës më 4 maj kur edhe është mbajtur seanca e re plenare, e vetmja për muajin maj.

Sot pas mbledhjes së Kryesisë, dy shefat e deputetëve të partive opozitare PDK dhe AAK kanë fajësuar pushtetin për sa i përket çështjes së bllokimit të punës së Kuvendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministrit Albin Kurti nuk nuk i bën përshtypje fare që agjenda parlamentare.

“Fakti që kryeministrit nuk i bën përshtypje fare që agjenda parlamentare është e bllokuar, ju mund ta imagjinoni se në çfarë situate e kemi qeverisjen në vend. Atyre nuk iu ec asnjë projekt as në çështjet e arsimit, as në sundimin e ligjit, as në shëndetësi, ekonomia në buzë të kolapsit, me një inflacion jashtëzakonisht të madh, me paga që nuk ia arrijnë të dalin për një muaj për qytetarin e Kosovës. E kemi një bllokadë që për qeverinë nuk po bëhet vonë fare”- ka thënë ai.

Tahiri ka shtuar se të enjten do të thirrej një seancë e re ku do të vendosej edhe për Ligjin për Zgjedhjet e përgjithshme.

Ndërsa, kryetari i grupit parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri ka thënë se për shkak të mungesës së kuorumit në Kryesi, Kuvendi nuk do të mbajë seancë të enjten.

Ai ka thënë se Qeveria duhet të trajtojë çështjen e të hyrave vetanake të komunave në mënyrë që të zhbllokohet edhe puna në Kuvend.

“Zhbllokimi i Kuvendit nuk është në fajin e opozitës, zhbllokimi mund të ndodh vetëm në qoftë se qasja popullsitë dhe e Qeverisë në raport me të hyrat vetanake të komunave të ndodh. Ajo duhet të ndodh në këtë javë”- ka thënë ai.

Mungesa e ligjvënësve nëpër seanca ka pamundësuar disa herë votimin e pikave të papërfunduara ndonëse për to Kuvendi është mbledhur disa herë gjatë këtij sesioni.